Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zjarrvënia, përmes paketës së re ligjore të propozuar këtë të martë, më 9 shtator, do të trajtohet si vrasje.
“Dënimet për zjarrvënësit duhet të jenë shumë më të rënda sesa dënimet për ndërtuesit pa leje. Apo një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli të mbrojtur, 5–10 vjet.
Ndërtimin e paligjshëm mund ta prishësh, kurse rigjenerimin e pyjeve duhen vite për ta bërë, dhe kam bindjen që zjarrvënësit do të trajtohen si vrasësit dhe zjarrvënia e paligjshme duhet të trajtohet si vrasje.
Dhe jetët e njerëzve vihen në rrezik, ndërkohë që bashkë me pyllin ikën edhe shtëpia. Kjo është tamam vrasje me paramendim. Kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, për çlirimin e hapësirave publike, nuk do të mbarojë pa mbaruar njëherë e mirë, jo thjesht ato ngrehina që janë instrumenta të zaptimit, por vetë fenomeni.
E di që ka shumë njerëz që shpresojnë që kjo do të jetë si makthi i një nate vere, por nuk do të jetë kështu, sepse nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje që arrijnë deri në pikën sa bllokojnë komunitete banorësh në hyrje e dalje.”, tha ai.


