Kreu i qeverisë Edi Rama është pjesë e Kongresit Botëror të Ligjit që po mbahet në Tiranë, ku vlerësoi reformën në drejtësi si një pikë kthese në kthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia.
Ai u shpreh se shqiptarët ishin mësuar që drejtësia të ishte në dorën e pushtetit, ndërsa shtoi se duhet të jetë ligji që sundon, jo forca.
Rama ka shtuar se arbitrariteti është i kudondodhur në sistemin shtetëror përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, por se synohet përmirësimi. Ai ka bërë edhe një krahasim me opozitën, ku tha se mazhoranca ka BE-në, ndërsa ata jo.
“Ne kemi BE-në ata nuk e kanë. BE të mëson si ndërtohen institucionet dhe të jep dije se si kjo bëhet”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Shqipëria është kthyer në epiqendër të një aktiviteti me prestigj botëror për sundimin e ligjit. Një botë e qeverisur nga ligji jo nga forca është motoja që ka udhëhequr Shoqatën Botërore të Juristëve që nga krijimi i saj.
Shqiptarët nuk besonin se do të shihnin në të gjallë të tyre një spostim të pushtetit të drejtësisë në drejtim të drejtësisë para ligjit. Askush nuk mund t’u vërë faj atyre që ishin mosbesues pasi nuk ishte e përditshmja e tyre që prej vitesh u provonte se drejtësia ishte një iluzion, por ishte historia e shtetit shqiptar që provonte vetëm se pushteti i drejtësisë ishte në duart e më të fuqishmëve të politikës.


