Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, u shpreh se ” në udhëkryqin e rrezikshëm ku ndodhet sot Shqipëria, lufta e vërtetë patriotike e gjithë qytetarëve është që të zgjedhin lirinë kundër diktaturës”.
“Sot duhet të luftojmë varfërinë e tejskajshme të shkaktuar nga polarizimi ekstrem, përmes një politike e cila garanton rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, e të refuzojmë patronazhimin dhe skllavërimin modern për bukën e gojës të qytetarëve dhe të garantojmë punësimin dinjitoz dhe vende pune me produktivitet të lartë, të cilat arrihen vetëm përmes transformimit të Shqipërisë në një fuqi eksportuese, siç është edhe prioriteti ynë i 5- të”, tha Meta.
Ai dënoi burgimin e deputetit të opozitës Ervin Salianji që e cilësoi politik.
“Vendimi i urdhëruar drejtpërdrejt nga Edi Rama për burgosjen politike të deputetit Ervin Salianjit dhe i zbatuar verbërisht nga togat e zeza të “pushkatimit” të opozitës në sistemin e drejtësisë apo nga gjyqtarët e Ramaformës është një hakmarrje e verbër primitive për guximin që ai tregoi dhe detyrimin që përmbushi ndaj të gjithë qytetarëve duke denoncuar lidhjen e tmerrshme kriminale të trafikut të drogës me eksponentët më të lartë të narkoqeverisë”, deklaroi ai.
Sipas tij, SPAK-u i Dumanit jo vetëm që nuk heton por as guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës.
“Është kjo narkodrejtësi që burgos për fjalën e lirë një deputet të opozitës dhe “afërmendsh” nuk lëviz as gishtin e vogël për të ndaluar pronarin faktik të inceneratorit fantazmë të Tiranës”, tha Meta.
Gjatë fjalës së tij Meta u ndal edhe në 5 prioritetet e PL-së.
“Partia e Lirisë, ka objektiv të saj madhor Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus dhe për këtë ka 5 prioritetet shumë të qarta. Do të rritim nivelin e të ardhurave nga më pak se 28% që është sot, në 41-42%, që e kanë vendet e rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto; Luftë pa kompromis kundër informalitetit; Dyfishim të pagave dhe pensioneve”, tha Meta.
Ai deklaroi se, Partia e Lirisë është platformë e hapur për çdo shqiptar, teksa bëri të ditur se, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, do të miratohen kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë.
Meta deklaroi se, Partia e Lirisë mbështet protestën kombëtare të thirrur në datën 7 tetor dhe i fton të gjithë qytetarët të ngrihen në këmbë.