Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet për monitorimin e nivelit të zhurmave në zonën e ish-Bllokut, me qëllim garantimin e qetësisë publike dhe respektimin e normave të përcaktuara ligjore.
Në kuadër të masave sensibilizuese, strukturat e Policisë kanë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika.
Kontrollet në terren janë kryer nga strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ku janë testuar me matës zhurme ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Sipas Policisë, matjet e kryera kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar, ndërsa është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambientet e hapura në zonat e banuara.
Policia e Tiranës bën të ditur se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin në zonat me aktivitet të lartë, me qëllim garantimin e rendit publik dhe qetësisë për qytetarët dhe vizitorët.


