Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka shprehur mirënjohjen e tij për shqiptarët dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian, në përfundim të mandatit të tij në vendin tonë.
Gjatë ceremonisë së vlerësimit me Yllin e Madh të Medaljes “Benemerenti” nga kryeministri Edi Rama, Gonzato theksoi se për të BE-ja ka qenë gjithmonë më shumë sesa një treg apo ekonomi e përbashkët, duke e lidhur atë me vlerat e përbashkëta evropiane.
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, u shpreh Gonzato.
Ai vlerësoi përvojën e tij trevjeçare në Shqipëri dhe falënderoi qytetarët shqiptarë që ka takuar gjatë këtij rrugëtimi.
“Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi. Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori.
Gonzato nënvizoi se gjatë mandatit të tij Delegacioni i BE-së ka kërkuar përparim në reformat e vendit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithëve në procesin e integrimit.
“Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur”, deklaroi ai.
“Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE”, përfundoi mesazhin ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.


