Partia Demokratike propozoi sot vendosjen e minimumit jetik në Shqipëri në masën 200 euro.
Gjatë prezantimit të amendamentin e propozuar në projektbuxhetit 2025 në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka theksoi se minimumi jetik megjithëse i përcaktuar si terminologji në legjislacionin tonë është i padefinuar dhe duhet të jetë detyrimisht i përcaktuar.
“Jemi i vetmi vend që nuk e përcaktojmë minimumin jetik. Minimumi jetik është një normë ligjore dhe buron nga një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. Vjen si aplikim në çdo vend të botës i një motodologjie mbi të cilën përcaktohet minimum jetik. Mungesa e përcaktimit të minimumit jetik në vendin tonë pa as më të voglin diskutim ndikon në politikat e një qeverie për të diskriminuar shtresat e varfra”, tha Noka.
Noka citoi raportet e Organizatës Botërore të Ushqimit, sipas së cilës një personi i duhen të paktën 4.4 dollarë në ditë si nevoja bazike të ushqimit.
“Sipas Bankës Botërore kufiri minimal i varfërisë është 6.7 dollarë për frymë në ditë. Shqipëria e ka ndihmën ekonomike që është minimumi që jepet 65-70 euro në muaj, pra 0.6-0.7 dollarë për frymë në një familje me 3 anëtarë. A e kuptoni se çfarë diskriminimi i bëhet kësaj shtrese të shoqërisë nga ata që marrin ndihmë ekonomike. Duke vazhduar me pensionistët kjo është një shifër shumë larg asaj që përcaktohet në standardet e BB-së”, tha Noka.
Sipas tij, numri i familjeve në ndihmë ekonomike është rritur në 62 mijë në vitin 2024 nga 60 mijë familje që kanë qenë në vitin 2019.
“Kjo tregon disproporcionin e ndarjes së të ardhurave. 500 mijë pensionistë marrin pensione me më pak se 20 mijë lekë në muaj. Ju nuk po ndërtoni një shtet social. Ne e kemi të përcaktuar që minimumi jetik do të jetë 200 euro. Nuk do të ketë asnjë familje në ndihmë ekonomike, pension, pension invaliditeti apo bursë studenti që të jetë për shqiptarët nën 200 euro”, tha Noka.
Ndaj, ai theksoi se PD propozon që në nenit 3 të shtohet: “Brenda muajit mars 2025 qeveria miraton me ligj të veçantë vlerën financiare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga data 1 prill 2025 pagesa për pensionet e pleqërisë, pagesa për pensionet e invaliditetit dhe aftësisë së kufizuar si dhe pagesa për familjet me ndihmë ekonomike nuk do të jenë më e ulët se vlera financiare e minimumit jetik. Vlera financiare e minimumit jetik e përcaktuar me ligj në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 20 mijë lekë”.