Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “buxheti i vitit 2025 nuk parashikon asnjë qindarkë për të rinjtë shqiptarë dhe për 800 mijë pensionistët në një kohë kur rrogat e ministrave janë të barabarta me 70 pensione”.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, gjatë miratimit nen për nen të buxhetit 2025 Berisha akuzoi qeverinë se ka përgatitur një buxhet që nuk i vjen në ndihmë qytetarëve dhe fermerëve.
Berisha doli në foltore të paraqiste amendamentin e propozuar për vendosjen e minimumit jetik.
“Po si mund të sillni ju në parlament këtu një buxhet për 800 mijë njerëz, të cilët marrin ushqimet, naftën, 30, 50 për qind më shtrenjtë se gjermani? A e kuptoni ju se të sëmurët në spitalin onkologjik dhe në spitalet tona nuk vdesin nga sëmundjet, por vdesin nga mungesa e ilaçeve sepse u vidhni atyre paratë e caktuara për të blerë ilaçe? A e kuptoni ju se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, kurse pensionistët e saj janë njerëzit më të përçmuar, më të përbuzur të rajonit dhe të botës?”, tha ai.
“Si mund të sillni të votohet këtu një buxhet 8.2 miliardë euro dhe të përcaktoni 16 milionë euro për 800 mijë vetë? Kush mund ta bëjë këtë? E bëjnë vetëm ata që kanë tmerr nga njerëzit. E bëjnë vetëm ata që janë kavërdisur në krimet e tyre dhe nuk mund të shohin gjë tjetër. Pra, ju jeni të dështuar”, deklaroi Berisha.
“Ju caktoni buxhetin më të ulët për arsimin, në një kohë kur arsimi në vitet tuaja pësoi rrokullisjen më të madhe në botë. Ju caktoni një buxhet mizerabël për kulturën, në një kohë kur kulturën e keni asgjësuar pothuajse tërësisht në zbatim të doktrinës së monstrës së njerëzimit, Xhorxh Sorosit. I fshitë nga harta e Tiranës teatrot dhe të gjitha institucionet kulturore”, vijoi Berisha.
“8.2 miliardë euro, po si mund të votoni ju një buxhet të tillë dhe të mos i rrisni të paktën 20 përqind pensionet në Shqipëri. Sepse ju zgjidhni midis vjedhjes dhe pasurimit tuaj dhe kafashatës së qytetarëve. Si mund të votohet buxheti 8.2 miliardë dhe të mos vendoset minimumi jetik 200 euro për shqiptarët? Asnjë projekt nuk kërkoj të anulohet. Çdo projekt mund të realizohet me buxhetin 8.2 miliardë”, përfundoi ai