Irani konfirmon shpërthimin në anijen e saj në Detin e Kuq

Irani ka konfirmuar se një anije me flamur iranian një ditë më parë ka pësuar një shpërthim në Detin e Kuq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, njoftoi se shpërthimi ndodhi dje në brigjet e Xhibutit rreth orës 6 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Khatibzadeh tha se burimi dhe lloji i shpërthimit aktualisht janë duke u hetuar dhe njoftoi se shpërthimi shkaktoi dëme të vogla pa ndonjë viktimë apo lëndim midis anëtarëve të ekuipazhit të anijes.

Ai tha se anija ‘MV Saviz’ ishte një anije civile e vendosur në rrugët e tranzitit të anijeve në Detin e Kuq në kuadër të përpjekjeve të Iranit për të luftuar piraterinë dhe për të garantuar sigurinë e detit.

Siç tha Khatibzadeh, anija është përdorur si një ndalesë logjistike për anijet iraniane në Detin e Kuq dhe se misioni dhe karakteristikat e saj u njoftuan zyrtarisht te Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO).

Dje, raporte të shumta në media thanë se anija me flamur iranian ishte sulmuar në Detin e Kuq pranë brigjeve të Eritreas, me spekulime të shumta se Izraeli mund të jetë pas incidentit.

Raportet e mëparshme sugjeruan se anija e inteligjencës ‘MV Saviz’, e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), ishte shënjestër e minave magnetike.

Sulmi u raportua dje më vonë, disa orë pasi Irani mbajti raundin e parë të bisedimeve me fuqitë perëndimore në Vjenë, në një përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Tensionet midis Iranit dhe kundërshtarit të tij, Izraelit, muajve të fundit janë përshkallëzuar, veçanërisht pasi administrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden, shprehu gatishmërinë për të ringjallur diplomacinë me Teheranin.

Tensionet u shtuan më tej pasi Irani akuzoi Izraelin për vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh, pas së cilës të dy palët intensifikuan aktivitetet në ujërat rajonal.

Të dy palët në shumë raste në të kaluarën e afërt kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulm të anijeve në rajon.

Deri më tani nga Tel Avivi nuk ka pasur prononcime zyrtare mbi incidentin e fundit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi