Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Valdis Dombrovskis, në një vizitë katërditore në Kinë, i quajti marrëdhëniet tregtare të Bashkimit Evropian me gjigantin aziatik shumë të pabalancuara, por vuri në dukje se BE-ja nuk dëshironte të shkëputej nga Pekini.
”Deficiti tregtar i bllokut aktualisht arrin në pothuajse 400 miliardë euro (427 miliardë dollarë) në vit”, tha letonezi gjatë një fjalimi në Shangai.
Ai mbrojti gjithashtu pozicionin e BE-së për të minimizuar veçanërisht varësitë strategjike me Kinën.
“Por, më lejoni të theksoj se heqja e rrezikut nuk është shkëputje. Dhe BE nuk ka ndërmend të shkëputet nga Kina”, tha Dombrovskis.
Komisioneri i BE-së pritet në kryeqytetin Pekin të hënën për të takuar zëvendëskryeministrin He Lifeng, ku pritet të diskutohet hetimi i BE-së për mbështetjen e Kinës për prodhuesit e makinave elektrike, të shpallur javën e kaluar.
BE-ja akuzon Kinën se ka ulur çmimin e këtyre makinave me subvencione të larta shtetërore duke siguruar kështu avantazhe të padrejta në treg për prodhuesit.
Pekini, nga ana tjetër, kritikon masat e BE-së si shkelje të rregullave ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare.
Të martën, Dhoma Evropiane e Tregtisë në Pekin kritikoi mungesën e hapjes së tregut për kompanitë e huaja në Kinë.
”Kompanitë e BE-së kohët e fundit u është dashur të luftojnë me udhëzime dhe ligje të reja”, thuhet në raport.


