17.5 C
Tirana

Balla: Integrimi evropian, rruga jonë strategjike për një Shqipëri më të fortë

Më datë:

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Edicionit të 10-të të Shkollës së Integrimit Europian, organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Balla, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, theksoi se Shqipëria është sot më e angazhuar se kurrë për të ecur në rrugën e integrimit europian dhe për të forcuar vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian: paqen, demokracinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve.

“Integrimi europian mbetet rruga jonë strategjike dhe qëllimi ynë i përbashkët për një Shqipëri më të fortë në një Europë të bashkuar”, u shpreh Balla, duke cituar njërin prej etërve themelues të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, i cili në Manifestin e Ventotenes theksonte se “e ardhmja nuk do të ndërtohet mbi ndarjen e shteteve kombëtare, por mbi bashkimin e tyre në një federatë evropiane”.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste vlerësoi faktin që Shkolla e Integrimit Europian, tashmë në edicionin e saj të dhjetë, është kthyer në një traditë të qëndrueshme të Kuvendit dhe një platformë të rëndësishme për ndarjen e njohurive dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj për procesin e integrimit.

Në dhjetë vite, shkolla ka trajnuar 404 pjesëmarrës nga administrata publike, pushteti vendor, shoqëria civile, akademia, media dhe biznesi, duke krijuar një rrjet të gjerë ekspertësh që kontribuojnë sot në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Kjo shkollë ka qenë një investim i çmuar në formimin e brezit të ri që do të çojë përpara projektin më të madh kombëtar të këtij brezi – anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.

Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe raportit më të fundit të Komisionit Europian, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë si “të pashembullt që prej Konferencës Ndërqeveritare të tetorit 2024”, ndërsa theksoi se 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës, që kërkon bashkëpunimin e të gjitha forcave politike dhe institucioneve. Anëtarësimi në BE nuk është thjesht një objektiv qeveritar, por një projekt kombëtar që i përket çdo shqiptari,” tha Balla, duke shtuar se Kuvendi i Shqipërisë, përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian do të vijojë të forcojë rolin e vet në mbikëqyrjen parlamentare dhe në nxitjen e transparencës në këtë proces.

Në përmbyllje, Balla falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për kontributin në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të të rinjve shqiptarë.

“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugën e bërë, por një pikënisje e re drejt një etape më të pjekur të procesit tonë europian”, përfundoi Balla.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha: Ligji “Për barazinë gjinore” sjell përmbysje të rendit juridik të vendit

https://www.youtube.com/live/HQYR6fNKgag?si=1cWk3ydg98ikVqm6&t=617  Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh sot...

Zgjidhet formacioni dhe trajneri i javës së 11-të

Java e 11-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u mbyll...

Studimi: Terapia gjenetike mund të ulë përgjithmonë kolesterolin e lartë

Një studim pilot i publikuar së fundmi sugjeron se...

“Thuajse 100% njëlloj”| Celibashi: Testi me Inteligjencën Artificiale në numërim ishte i suksesshëm!

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka dalë në një...