Kandidati për ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Petrit Malaj prezantoi sot në komisionin e Jashtëm prioritetet e mandatit të tij diplomatik, të cilat fokusohen te mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Malaj theksoi faktin se në Maqedoninë e Veriut jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar, ndërsa siguroi se mandati i tij do të karakterizohet nga një diplomaci aktive, konkrete dhe që hap mundësi të reja bashkëpunimi.
Marrëdhëniet tradicionale të mira ndërmjet dy vendeve, sipas tij, mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit politik, bashkëpunimit rajonal dhe e orientimit euroatlantik të rajonit.
“Shqipëria e sheh Maqedoninë e Veriut si partner dhe faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik. Kjo marrëdhënie ka një komponent shumë të rëndësishëm, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, popull shtetformues që shërben si urë lidhje e jo si ndasi midis dy vendeve”, shtoi ai.
Ndaj Malaj siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve ashtu siç do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të shteteve ku ata jetojnë.
“Mandati im do të fokusohet te marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë e Veriut duke respektuar institucionet e saj dhe duke kërkuar njëkohësisht në rrugë institucionale mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe standardet evropiane”, tha Malaj.
Ai theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë një faktor që e dobësojnë shtetin, por janë pjesë e rëndësishme e shtetit dhe e forcimit të tij.
“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut luan rol konstruktiv si kontribues kyç në stabilitetin politik, në qeverisje dhe avancimin euroatlantik të shtetit. Prandaj ambasada e Shqipërisë në Shkup do të jetë një mbështetëse e vendosur e respektimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përfaqësimit të drejtë dhe efektiv e përdorimit të gjuhës shqipe sipas kuadrit kushtetues dhe ligjor”, shtoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Malaj u ndal te projektet rajonale, duke theksuar rëndësinë e Korridori 8. Ai theksoi si prioritet të mandatit të tij promovimin e Korridorit 8 si projekt strategjik të integrimit rajonal dhe të sigurisë euroatlantike.
“Ky korridor që lidh Mesdheun me Detin e Zi e vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qendër të ndërlidhjes infrastrukturore, energjetike dhe ekonomike të rajonit duke forcuar rolin e tyre si ura bashkëpunimi mes Adriatikut dhe Evropës Lindore. Shqipëria e konsideron avancimin e Korridorit 8 si prioritet strategjik me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të rajonit”, theksoi Malaj.
Po ashtu, Malaj theksoi se diplomacia ekonomike do të jetë në fokus të këtij mandati duke synuar rritjen e shkëmbimeve ekonomike, lëvizshmërisë së qytetarëve dhe afrimit të tregjeve.
“Do të bëhen përpjekje për ta shndërruar ambasadën në një platformë reale për biznesin shqiptar. Objektivi nuk duhet të jetë vetëm rritja e volumit tregtar, por duhet të krijojmë mundësi bashkëpunimi që më shumë kompani shqiptare të investojë në Maqedoninë e Veriut dhe më shumë kompani maqedonase të investojnë Shqipërinë. Për këtë do duhet të organizohen forume biznesi, si dhe të identifikohen projekte promovimi të turizmit, bashkëpunim në energji, teknologji, transport etj”, tha Malaj.
Për Malajn, arsimi, kultura dhe gjuha janë po ashtu instrumente të fuqishëm të misionit të tij që do të synojë marrëveshje bashkëpunimi universitar, shkëmbime studentore, bursa për studentët etj.
“Kërkesa e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimeve në gjuhën shqipe përbën një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta dhe ligji për përdorimin e gjuhëve. Kjo protestë nënvizon nevojën për trajtim me përgjegjësi institucionale nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, por kërkon dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale nga Shqipëria në mënyrë që të garantohen dhe zbatohen plotësisht të drejtat themelore të shqiptarëve”, shtoi ai.
Malaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, parandalimit të emigracionit të paligjshëm, menaxhimit dhe kontrollit të kufijve si dhe sigurisë kibernetike.
Ai ndau vizionin për një diplomaci që parandalon dhe jo vetëm reagon.
“Mendoj se ambasada nuk duhet të presë krizën për të ndërhyrë diplomatikisht. Kjo do të thotë që ne duhet të monitorojmë, të analizojmë, të kontaktojmë, të dialogojmë dhe pastaj të parandalojmë. Sidomos për çështjet ndëretnike, politike, sociale, ekonomike, të sigurisë, ambasadori do të thosha se duhet të ketë kontakte të hapura në të gjitha forcat politike maqedonase dhe shqiptare”, theksoi Malaj.


