Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se PD nuk do të rikthehet në Komisionin e Reformës Territoriale, ndërsa konfirmoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.
Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Berisha tha se se demokratët do të vijojnë betejën kundër hartës së re territoriale. Ai përsëriti gjithashtu angazhimin e PD-së për një reformë që parashikon të paktën 100 bashki.
“PD mori pjesë, dhe unë ua kam thënë këtu para jush se ne marrim pjesë, jo se bindemi se Edi Rama nuk do përdorë votat e krimit kundër qytetarëve, e kishim shumë të qartë, por morëm pjesë dhe ndoqëm agjendën në mbarë Shqipërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, të cilët në çdo konsultë e demaskuan ndarjen territoriale të Edi Ramës.
“Morëm pjesë për të përgatitur variantin tonë të reformës territoriale, i cili jo që nuk hiqte, por shtonte 100 bashki dhe mbetej e hapur për shtimin e bashkive të tjera në përputhje me konsultimet, të cilat u ndërprenë. Së fundmi, në qoftë se ju lexoni raportin e Komisionit Evropian të vitit të kaluar, ai raport përcakton dy kushte të qarta, përcakton kushtin e reformës territoriale dhe kushtin e reformës zgjedhore, për të cilat ne kemi prirjen t’u përgjigjemi kushteve që kanë rëndësi përcaktuese për integrimin e vendit. Ne bëmë punën tonë, Edi Rama përdori mandatet e krimit për të asgjësuar 15 bashki për qëllime elektorale”, tha ai.
Sa i përket zgjedhjeve vendore, kreu i PD-së bëri të ditur se kanë nisur përgatitjet, por do të vijojë paralelisht betejën politike dhe ligjore kundër reformës territoriale.
“PD ka filluar përgatitjet. Por PD do vazhdojë betejën në të gjitha frontet. Ne jemi në kushtet e një diktature autoritare, e cila nuk përfill Kushtetutë, nuk përfill rregulla, nuk përfill detyrimet ndërkombëtare që kemi ne në procesin e integrimit. Por ne e kemi bërë të qartë se kemi zgjedhur veprimtarinë brenda institucioneve. Dhe ne, nuk ka mëdyshje, do marrim pjesë në zgjedhje”


