Kryeministri Edi Rama duke folur për funksionimin e administratës publike, deklaroi se një nga problemet më serioze mbetet mungesa e lidhjes mes performancës në punë dhe avancimit në karrierë.
Gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, një reformë që synon ndërtimin e një administrate profesionale dhe të përgjegjshme, Rama tha se shumica dërrmuese e nëpunësve civilë vlerësojnë se puna ose mosangazhimi nuk ndikojnë në vlerësimin e tyre dhe në rritjen profesionale.
“Ajo që mbetet shumë serioze, më shumë se në të tjerat, është se shumica dërrmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë se nëse punon apo nuk punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë që vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që e bën edhe më negativ këtë vlerësim, është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë”, u shpreh Rama.
Kryeministri pranoi se edhe vetë kishte pasur skepticizëm për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës publike, veçanërisht në procesin e përgatitjes së Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Unë vetë kam qenë skeptik për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës dhe, në një farë mënyre, i shqetësuar për faktin që pasi ne të realizonim me sukses daljen nga tuneli ku qëndruam për disa vite, tuneli i poshtërimit, e kam pagëzuar unë, për të hapur negociatat”, deklaroi Rama.
Ai tha se një nga pikat më të rëndësishme të shqetësimeve të qytetarëve ka qenë meritokracia dhe mënyra se si përzgjidhen personat që punojnë në administratën shtetërore. Sipas tij, protestat kanë shërbyer edhe si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë e akumuluara dhe kërkesën për përshpejtimin e reformave.
“Ndërkohë që kohët sollën që nevoja për të shtyrë më tutje të bashkëndihej me vetë njerëzit, me vetë masën e gjerë të qytetarëve, të cilët, në një moment të caktuar, shfrytëzuan një shkak që nuk ishte aq i rëndësishëm, një shkak jo aq të rëndësishëm sa të dilnin në protestë, por dolën në protestë me nevojën e madhe për të shprehur disa shqetësime të akumuluara dhe për të kërkuar një përshpejtim të domosdoshëm, në kushtet kur praktikisht Shqipëria e ka kapërcyer epokën e mungesave dhe ka hyrë në epokën e pritshmërive të larta”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve lidhet me mundësinë për të hyrë në administratë mbi bazën e meritës dhe jo përmes faktorëve të tjerë.
“Dhe një nga pikat më goditëse të shumë zyrave që unë, bashkë me të tjerët, u përpoqa të dëgjoja, ishte pikërisht merita. Sa hyjnë në punë me meritë në Shqipëri, në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar, për shtetin shqiptar”, tha ai.
Në këtë kuadër, kreu i qeverisë prezantoi “Shkallën e Meritës” si një tjetër komponent të procesit të transformimit të administratës, krahas nismave të tjera, përfshirë BESA-n dhe platformën “Pasqyra”.
“Ne kemi ndërmarrë një proces transformues, jo shumë të bujshëm, të them të drejtën, por në mënyrë të konsiderueshme të thellë, duke filluar nga BESA, duke kaluar te Pasqyra, e cila do të mbledhë të gjithë shtetin në një vend të vetëm, duke vazhduar me pranimin besnik, ndërkohë që sot kemi një komponent të ri, që është Shkalla e Meritës”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se reforma mbështetet edhe në një anketë të brendshme, ku një numër i madh nëpunësish civilë kanë shprehur në mënyrë anonime opinionet e tyre për gjendjen e administratës dhe mundësitë e përmirësimit të saj.
Rama paralajmëroi se procesi i vlerësimit do të nisë nga drejtuesit e lartë të administratës, veçanërisht sekretarët e përgjithshëm të ministrive, duke argumentuar se përgjegjësia e tyre ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e të gjithë sistemit.
“Sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi që shkon nga lart-poshtë dhe ku, nëse ata çedojnë, çedon i gjithë sistemi”, tha Rama.
“Pra, vit pas viti, apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund të kalojnë në testime, ku mund të rrisin pikët e tyre dhe mundësitë për t’u ngjitur një shkallë më lart. Dhe e fundit që kam është ajo që ndodh me ekselencën dhe me ata që hyjnë për të ndjekur një program njohjeje dhe për të hedhur një hap drejt administratës, të cilët, në shumë raste, pasi u mbaron ai vit pune, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me pamundësinë për të vazhduar, edhe në rastet kur kanë performuar shumë mirë. Edhe kjo është diçka që duhet parë me kujdes, në mënyrë që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies”, tha ai.


