Një sasi tritoli shpërtheu në orët e mbrëmjes në banesën e shtetasit Filip Dodaj në njësinë Bushat të bashkisë Vau Dejës.
Një person ende i paidentifikuar hodhi lëndën plasëse në oborrin e shtëpisë dhe më pas u largua në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të 22 shtatorit.
Pronari i banesës ku shpërtheu tritoli Filip Dodaj, 62 vjeç thotë se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund të jetë autori i lëndës plasëse.
Një komshi ngjitur me banesën ku shpërtheu tritoli, shtetasi Tonin Dodaj tregon se zhurma ishte e fortë dhe se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për bombol gazi.
Pas shpërthimit në Bushat menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet paraprake.
62-vjeçari Filip Dodaj ka një magazinë peshku ndërsa po ashtu jeton e punon mes Shqipërisë dhe Italisë duke u marrë edhe atje me tregti sëbashku me dy djemtë që ndodhen në shtetin italian.
Një pistë mbetet pronësia për shkak të një konflikti të hershëm, por policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi.
Efektivët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në banesën ku shpërtheu tritoli por autori që erdhi dhe u largua në këmbë është i maskuar dhe mbetet e vështirë identifikimi i tij për shkak edhe të errësirës në rrugë në momentin kur ndodhi ngjarja.
Flet Filip Dodaj që iu vendos tritoli: Nuk kam konflikte. Një person i maskuar duket ne kamera që vjen dhe hedh lëndën plasëse. Nuk kam dyshime. Jam punëtor, ndërsa fëmijët i kam jashtë Shqipërisë, nuk e kam idenë se kush mund të jetë.
Komshiu Tonin Dodaj: Kam qenë brenda banesës time kur ka ndodhur ngjarja. Shpërthimi me tritol ka ndodhur diku tek ora 20:30 minuta. Shpërthimi ishte i fuqishëm. Kur dolëm jashtë e kuptuam se shpërthimi ishte tek dera e komshiut. Doli gjithë lagjja jashtë. Tmerr. Ne menduam se ishte një bombol gazi ose ndonjë cisternë. E kam komshi.
Sa dëgjuam zhurmën, kam dalë direkt jashtë, unë dhe ai plaku me nusen. Filipi nuk ishte në shtëpi. Nuk kemi ndjerë lëvizje përpara shpërthimit, ne kemi qenë nëpër shtëpi. Filipi sa di unë nuk ka probleme me njeri. Kur e pyeti Filipin policia, Filipi tha se nuk kishte hesape. Veç një aksident kishte thënë e ka pasur përpara, por nuk besonte se kishte lidhje. Banesa e Filipit ka kamera.


