SHBA: Al-Kaeda është drejt fundit, kemi shkatërruar udhëheqjen e tyre të lartë gjatë 20 viteve të fundit

Zyrtarët kryesorë amerikanë nuk po tërhiqen nga vlerësimi i tyre se megjithëse al-Kaida, ende përbën kërcënim, ajo është në rënie, duke mos i dhënë shumë rëndësi informacioneve të zbulimit që sugjerojnë se organizata terroriste mbetet e pranishme në Afganistan dhe mund të forcohet edhe më shumë.

Për muaj me radhë, ka pasur tensione në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj rreth statusit të al-Kaidës, me disa zyrtarë të antiterrorizmit që argumentojnë se Uashingtoni rrezikon të nënvlerësojë kërcënimin e paraqitur nga grupi terrorist.

Por zyrtari i lartë i antiterrorizmit i Departamentit të Shtetit tha të martën se al-Kaida është degraduar ndjeshëm si rezultat i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara.

“Unë mendoj se al-Kaida është drejt fundit, pa dyshim,” i tha Ambasadori për Koordinimin e Kundër-Terrorizmit, Nathan Sales Forumit Global të Sigurisë në një intervistë të para-regjistruar.

“Ne kemi shkatërruar udhëheqjen e tyre të lartë gjatë 20 viteve të fundit duke e reduktuar udhëheqjen thelbësore të al-Kaidës në një mbetje të asaj që ka qenë,” tha ai.

Komentet e ambasadorit Sales vijnë vetëm një ditë pasi Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Robert O’Brien minimizoi në mënyrë të ngjashme aftësinë e bërthamës së al-Kaidës për të shkaktuar pasoja.

“Al-Kaida ka qenë e paaftë të ndërmarrë një sulm kompleks, në shkallë të gjerë kundër Shteteve të Bashkuara, për shkak të presionit që ne kemi ushtruar ndaj tyre,” tha ai.

Megjithatë, vazhdon të mbetet pyetja se sa rëndë është goditur udhëheqja e al-Kaidës së fundmi.

As ambasadori Sales dhe as këshilltari O’Brien nuk folën për zërat e fundit se udhëheqësi i al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, mund të ketë vdekur nga një sëmundje. Ata nuk folën as për vrasjen e pretenduar të atij që shihej si pasardhësi i mundshëm i Zawahirit, Abu Muhammad al-Masri, në një operacion izraelit gushtin e kaluar në Teheran, siç njoftoi gazeta New York Times.

Por ambasadori Sales argumentoi se pavarësisht se kush mund të jetë në krye, ndikimi i tyre është zbehur.

“Pyetja se kush e udhëheq pjesën qendrore të al-Kaidës është më pak e rëndësishme sot sesa një dekadë më parë dhe pa dyshim më pak sesa dy dekada më parë,” tha ai në forumin virtual.

“Ajo që kemi parë është një lloj transferimi i autoritetit nga bërthama e al-Kaidës në degët e saj,” tha Sales. “Ato degë, mendoj se kanë një rritje të autonomisë organizative për të zhvilluar plane sulmi për të përcaktuar objektiva strategjikë.”

Vlerësime kundërthënëse

Por zyrtarët ndërkombëtarë të antiterrorizmit dhe vetë zyrtarët e sigurisë së Afganistanit argumentojnë se sipas informacioneve të tyre të zbulimit, bërthama e al-Kaidës vazhdon të ketë peshë dhe është duke u forcuar.

“Figura me peshë të saj mbeten në Afganistan, si dhe qindra operativë të armatosur,” paralajmëroi Edmund Fitton-Brown, koordinator i ekipit monitorues të Kombeve të Bashkuara për Shtetin Islamik, al-Kaidën dhe Talibanët në një diskutim në internet muajin e kaluar.

Raportet e fundit të OKB-së, bazuar në informacionet e zbulimit të vendeve anëtare, paralajmërojnë gjithashtu se udhëheqja kryesore e grupit duket se po mbledh një kuadër në rritje të luftëtarëve, ndoshta deri në 600, ndërsa vepronte në 12 provinca afgane.

Komente të tilla bien ndesh me deklaratat e zyrtarëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara, sipas së cilave numri i luftëtarëve në dispozicion të udhëheqjes kryesore të al-Kaidës është reduktuar “në disa dhjetra luftëtarë të cilët thjesht po përpiqen të mbijetojnë.”

Kundërshtimi ndaj vlerësimeve të tilla pozitive, gjithsesi nuk vjen vetëm nga aleatët e SHBA dhe vendet me interesa në rajon.

Afganët talebanë dhe lidhjet e al-Kaidës

Një raport i ri mbi Afganistanin nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes, i bërë publik të martën, ngriti gjithashtu pyetje në lidhje me pushtetin e al-Kaidës, duke përmendur faktin që Uashingtoni po mbështetet tek Talibanët për të shkëputur të gjitha lidhjet me grupin terrorist.

“Është e paqartë në këtë pikë nëse Talibanët po mbajnë zotimet e tyre,” shkruante në raport Inspektori i Përgjithshëm në detyrë Sean O’Donnell, duke shtuar se “është e vështirë të dallosh shkallën në të cilën po plotëson kërkesën që Afganistani të mos shërbejë si një strehë për terroristët që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara. ”

Raporti gjithashtu vuri në dukje se lidershipi i al-Kaidës në përgjithësi ka mirëpritur marrëveshjen e shkurtit midis Shteteve të Bashkuara dhe dhe Talebanëve.

“Nuk u kërkon Talibanëve të heqin dorë publikisht nga al-Kaida dhe marrëveshja përfshin një afat kohor që Shtetet e Bashkuara dhe forcat e koalicionit të tërhiqen – duke përmbushur një nga qëllimet kryesore të al-Kaidës,” vuri në dukje raporti.

Por ambasadori Sales, i cili foli para publikimit të raportit, tha se kushtet e marrëveshjes së nënshkruar këtë shkurt, “janë krejtësisht të qarta”.

“Ne do ta ndjekim nga afër për të verifikuar,” tha ai. “Ne presim që ata të respektojnë detyrimet e tyre.”

Degë të Al-Kaidës në Afrikë

Ndërkohë, ambasadori Sales tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të përqendrohen në atë që e shohin si rrezik më të ngutshëm nga rrjeti i bashkëpunëtorëve të al-Kaidës në Afrikë, duke përfshirë al-Shababin, Jama’at Nasr al-Islam wal Muslimin (JNIM), dhe al-Kaidën në Magrebin Islamik (AQOM).

“Këto grupe po vazhdojnë të luftojnë me një shkallë të konsiderueshme autonomie operacionale, pa marrë mesazhin se al-Kaida është copëtuar,” tha ai, duke e quajtur përpjekjen e SHBA për të degraduar dhe mundur al-Shababin “një përparësi kryesore. ”

Shqetësimet në lidhje me shtrirjen e al-Shabaab janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, duke u përshkallëzuar ashpër pas një sulmi vdekjeprurës në janar në aeroportin Manda Bay në Kenia, i cili i kapi forcat amerikane të papërgatitura.

Ka pasur gjithashtu shqetësim se al-Shababi mund të jetë i interesuar në idenë e kryerjes së sulmeve në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, me një arrestim të vitit 2019 në Filipine që tregonte lidhje midis grupit dhe sulmeve të mundshme duke përdorur avionë.

Si pjesë e fushatës së vazhdueshme kundër al-Shababit, Shtetet e Bashkuara, janë mbështetur shumë në sulmet me dron që vënë në shënjestër udhëheqësit e lartë.

Por Shtetet e Bashkuara gjithashtu po rrisin përpjekjet në fronte të tjera.

Departamenti i Shtetit të martën i klasifikoi dy zyrtarë të lartë të al-Shababit – ekspertin e eksplozivëve dhe shefin e medias Abdullahi Osman Mohamed dhe komandantin e njësisë Jaysh Ayman Maalim Ayman – si Terroristë Globalë.

Ambasadori Sales, duke informuar gazetarët pas njoftimit, përshkruan al-Shababin si “një nga anëtarët më të rrezikshëm dhe të aftë të al-Kaidës në botë” dhe tha se ky klasifikim do të dëmtojë financat e grupit.

“Kjo e bën shumë më të vështirë për individët ose organizatat e caktuara të përpiqen të lëvizin para përmes sistemit financiar ndërkombëtar,” tha ai.

“Ne po sjellim të gjitha mjetet tona në këtë luftë,” shtoi zyrtari i Departamentit të Shtetit. “Jo vetëm sanksionet, por edhe ndarja e informacionit, kundër-mesazhet, ndalimi i udhëtimit dhe ndërtimi i kapacitetit të partnerëve për të mbrojtur objektivat e butë.”

Një raport i Kombeve të Bashkuara i lëshuar muajin e kaluar zbuloi se al-Shabab pati një buxhet operativ prej të paktën 21 milionë dollarë në vitin 2019 dhe arriti të mbledhë të paktën 13 milionë dollarë nga vetëm katër burime gjatë një periudhe nëntëmujore që përfundoi në gusht.

/VOA

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi