Rusi, gjykata ndalon aktivitetet e organizatave të lidhura me opozitarin Navalny

Gjykata në Rusi shpalli pro-ekstremiste dhe ndaloi aktivitetet e organizatave të lidhura me opozitarin rus Alexei Navalny, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga shërbimi për media i gjykatës së qytetit të Moskës, thuhet se në një seancë të mbajtur me kërkesë të Prokurorisë ndaj organizatave Fondacioni për Luftën me Korrupsionin, Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve dhe Selitë e Navalnyt të themeluara nga Navalny u mor vendimi se janë organizata pro-ekstremiste.

Në kuadër të kësaj janë ndaluar të gjitha aktivitetet e këtyre organizatave për shpërndarjen e çdo informacioni, kryerjen e operacioneve financiare, pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe organizimin e protestave dhe demonstratave.

Gjykata vendosi që ndalesat për aktivitetet e Fondacionit për Luftën me Korrupsionin dhe Selitë e Navalnyt të hyjnë menjëherë në fuqi.

Avokatja e Fondacionit për Luftën me Korrupsionin, Valeriya Vetoshkina njoftoi se do të apelojnë vendimin brenda 10 ditëve.

Fondacioni për Luftën me Korrupsionin e cila u formua në vitin 2011 nga opozitari rus Navalny, u vendos nga autoritetet ruse në statusin “agjentë të huaj” në vitin 2019.

Navalny në vitin 2020 njoftoi mbylljen e fondacionit dhe e rihapi atë me një strukturë të re ligjore ndërsa autoritetet ruse e vendosën sërish këtë organizatë në statusin e “agjentit të huaj”.

Prokuroria e Moskës, ndaj 3 organizatave të lidhura me Navalny-n në prill ngriti padi për mbylljen e tyre me akuzat për “veprime të koordinuara aktive me kërkesë të qendrave të ndryshme të huaja që zhvillojnë veprime shkatërruese kundër Rusisë dhe vendosjen në zbatim të skenareve të revolucioneve me ngjyra për të ndryshuar rendin kushtetues dhe pushtetin”.

– Navalny u arrestua më 17 janar në aeroport

Navalny u arrestua më 17 janar në aeroportin e Moskës kur hyri në vend pas trajtimit në Berlin me pretendimin se ishte helmuar.

Me kërkesë të Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë, në gjykatën e Moskës më 2 shkurt u mbyll procesi gjyqësor i ngritur kundër Navalny-t. Gjykata ruse dënimin e pezulluar me 3.5 vite burg me të cilin Navalny ishte dënuar si rezultat i një çështjeje për korrupsion në të kaluarën, e ktheu në një dënim me burg normal me arsyetimin se nuk ka zbatuar kushtet e kontrollit gjyqësor.

Duke e zbritur periudhën 10-mujore që kishte kaluar më parë në arrest shtëpiak, gjykata vendosi që Navalny të kalojë në burg pjesën tjetër të mbetur të dënimit.

Navalny ndodhet në një burg në qytetin Vladimir në afërsi të Moskës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi