Një shtetas franko-kolumbian, pjesëtar i Legjionit të Huaj Francez, është rrëmbyer në një zonë të Kolumbisë të kontrolluar nga grupe rebele.
José Olger Melo Chari u rrëmbye më 6 gusht, ndërsa po udhëtonte në këmbë në një rrugë në departamentin Nariño, në jugperëndim të vendit. Detajet janë bërë të ditura në një raport të brendshëm ushtarak kolumbian, të siguruar nga AFP.
Sipas raportit, pas rrëmbimit dyshohet se qëndrojnë disidentë të ish-FARC, Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë. Bëhet fjalë për grupe që refuzuan marrëveshjen e paqes të vitit 2016, e cila çoi në çarmatimin dhe shpërbërjen e organizatës kryesore guerile.
Dyshohet se rebelët e rrëmbyen Melo Charin pasi zbuluan se ai ishte pjesëtar i Legjionit të Huaj Francez.
José Olger Melo Chari, me gradën kaporal, kishte shërbyer për rreth katër vite në Legjionin e Huaj Francez. Në momentin e rrëmbimit ai ndodhej me leje në Kolumbi, vendin e tij të origjinës.
Koloneli Mauricio Osorio deklaroi për radion Blu se ushtaraku ishte duke vizituar vendin kur u rrëmbye.
Rrëmbimi i atribuohet një fraksioni të disidentëve të ish-FARC të udhëhequr nga Iván Mordisco, një prej figurave më të kërkuara të armatosura në Kolumbi.
Grupet e armatosura që veprojnë në zona të ndryshme të Kolumbisë janë të përfshira në aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e paligjshëm të minierave.
Rrëmbimet përdoren shpesh si mënyrë për të kërkuar shpërblime financiare ose për të ushtruar presion ndaj autoriteteve.
Rasti i Melo Charit vjen në një moment kur qeveria kolumbiane po përballet me sfida të mëdha të sigurisë nga grupet e armatosura dhe fraksionet e mbetura pas procesit të paqes.
Autoritetet vijojnë përpjekjet për të përcaktuar vendndodhjen e tij dhe për të siguruar lirimin e ushtarakut.


