Rama mesazh të rinjve: Ja keni borxh prindërve e gjyshërve tuaj

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte pjesë e takimit të zgjeruar, organizuar një ditë më parë nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, për të bërë një bilanc të arritjeve të administratës publike në këto vite, si dhe për të theksuar nevojën e hyrjes në një fazë të re energjizimi e profesionalizmi, përcolli një mesazh për të gjithë të rinjtë në vend.

Rama u kërkoi atyre të shikojnë të ardhmen në Shqipëri dhe të angazhohen më seriozisht se të gjithë për këtë klimë të re dhe për një motivim dhe përkushtim më të madh, në punën e përditshme, në shërbim të institucionit ku janë dhe në shërbim të shtetit.

“Një mesazh nga lartësia e majës time të bardhë, për gjithë vajzat dhe djemtë që i shoh në sallë dhe që janë, mos flasim për moshën tani, por që janë me shumë rrugë përpara. Në radhë të parë ju më të rinjtë këtu, ja keni borxh prindërve tuaj, ja keni borxh gjyshërve tuaj, ja keni borxh vendit tuaj, ja keni borxh edhe shtetit tuaj, që juve jua kanë njohur meritën, jua kanë dhënë mundësinë dhe ju jep me aq sa mundet në mënyrë të vazhdueshme mbrapsht dinjitetin që të tjerë të rinj si ju kërkojnë ta kenë dhe jo gjithmonë për arsye të pamjaftueshme nuk e kanë. Ju duhet të angazhoheni më seriozisht se të gjithë për këtë klimë të re dhe për një motivim dhe përkushtim më të madh në punën e përditshme në shërbim të institucionit ku jeni dhe në shërbim të këtij shteti”, tha Rama .

Kryeministri tha se brenda 10 vitesh do shihnin atë që gjyshërit apo prindërit e tyre, nuk guxonin ta ëndërronin se mund ta shihnin.

“Jeni shumë vonë ju për të menduar të ikni dhe më besoni, po ikët, do ta kuptoni që keni bërë zgjedhjen e gabuar, por nga ana tjetër jeni shumë herët për të mos e parë me shumë optimizëm se çfarë mund të jetë Shqipëria edhe falë jush. Jo pas 100 vjetësh, por brenda 10 vitesh, kur ju të jeni ende në shërbim të shtetit dhe do të keni ende shumë kohë që ta shihni atë që gjyshërit tuaj, prindërit tuaj, për të mos folur për stërgjyshërit tuaj, nuk guxonin ta ëndërronin se mund ta shihnin. Duhet të jeni të sigurt që në fund kjo botë është e atyre që guxojnë, kjo botë është e atyre që rezistojnë, kjo botë është e atyre që në vend që të gjejnë justifikime dhe arsye për t’u ankuar dhe për t’ia lënë fajin të tjerëve është e atyre që për të realizuar qëllimet e tyre nuk harxhojnë kohë as me justifikime e as me fajësimin të tjerëve, por vetëm shohin përpara dhe çdo goditje, çdo dështim, çdo rrëzim, çdo mos vlerësim nuk e marrin si një arsye për t’u dorëzuar e për të shkuar në kafene e të thonë: “nuk bëhet ky vend mo lale, po hajde të bëjmë ndonjë lek”, por e marrin si një arsye më shumë për të vazhduar kokëfortësish për të realizuar atë që kanë në kokë”, u shpreh Rama.

Modernizimi në vijimësi i administratës publike në Shqipëri, një proces i domosdoshëm dhe i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), mbetet një ndër prioritet e qeverisë, si një instrument kyç për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit dhe si kusht për proceset integruese të vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi