Kryeministri Edi Rama po zhvillon një inspektim këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, në kantierin e projektit të ri “Kengo Art Park”, që po ndërtohet në zemër të natyrës së Petrelës.
“Paska ecur në krahasim me herën tjetër!”, u shpreh Rama.
Projekti, i cili zë një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.
“Kengo Art Park” është projektuar nga arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, dhe synon të integrohet në peizazhin natyror të zonës, duke krijuar një hapësirë moderne për aktivitete kulturore dhe artistike.
“I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur nga pikëpamja arkitekturore edhe memorien historike të vetë godinave.”, shkruan kryeministri krahas videos.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.
“Jemi në kantierin e Kengo Art Park, parkut të artit Kengo që emrin e ka marrë nga arkitekti i famshëm Kengo Kumo, i cili është ai që e ka projektuar këtë projekt. Projekti shtrihet në dy zona, zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh. Ky si projekt është në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike, të cilat kanë degraduar, duke i kthyer këto në qendra zhvillimi, duke i kthyer në si nga pikëpamja arkitekturore dhe urbanistike, po ashtu edhe nga pikëpamja funksionale.” shpjegoi Agolli.
Parku do të përfshijë pavione ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.
Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.
Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në “shtator të vitit të ardhshëm“.
Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Agolli që po i shpjegonte Ramës ecurinë e punimeve, u shpreh se “Njerëzit do vijnë ta vizitojnë edhe për shkak të arkitektit, sepse është një nga arkitektët më të mirë në botë.”
Ai tha se ndonëse i gjithë parku është 32 mijë metra katrorë, sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 7 mijë e 400 metra katrorë, duke u bërë një nga hapësirat e ekspozimit më të madh të artit në Tiranë.


