Policia Rrugore, përgjatë 72 orëve të fundit, ka zhvilluar kontrolle intensice për lirimin e korsive të dedikuara për transport publik, ndalimin e personave që kanë drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike, konstatimin e rasteve të gjobave të papaguara, si dhe ndalimin e përkohshëm të patinave elektrike.
Kështu, nga këto kontrolle, 40 makina u hoqen me mjet ngritës nga korsitë e transportit publik, 25 persona u arrestuan apo u proceduan në gjendje të lirë për shkelje të qarkullimit rrugor, 76 patenta u tërhoqën për shkak se dilnin debitorë, si dhe u sekuestruan 90 monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike.
Apel u bë për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, teksa u paralajmërua nga blutë se kontrollet do të vijojnë çdo ditë.
“Prioritete të punës së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë 72 orëve të fundit, ishin:
-lirimi i korsive të dedikuara për transport publik;
-evidentimi dhe ndalimi i shtetasve që drejtojnë mjetet, në efektin e alkoolit ose të lëndëve narkotike,
-konstatimi i rasteve të mospagimit të masave administrative;
-kontrolli i zbatimit të udhëzimit për ndalimin e përkohshëm të patinave elektrike.
Në përfundim të kontrolleve të zhvilluara në akse të ndryshme të kryeqytetit:
-40 automjete u tërhoqën me mjet ngritës, nga korsitë e dedikuara;
-25 shtetas u arrestuan/proceduan penalisht për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 prej tyre drejtonin automjete, në efektin e lëndëve narkotike;
-76 leje qarkullimi iu tërhoqën shtetasve që rezultojnë debitorë, për mospagim të detyrimeve administrative;
-90 monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike u sekuestruan, për lëvizje në kundërshtim me udhëzimin nr. 169, datë 13.10.2025, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të patinave elektrike dhe çdo varianti të tyre të kombinuar, për arsye që lidhen me sigurinë publike dhe sigurinë e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin korsitë e dedikuara dhe të mos drejtojnë mjetin në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike.
Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës“, njofton Policia Rrugore.


