Policia e Durrësit njoftoi sot se në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshohej se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Sipas policisë, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në një lokal në lagjen nr. 14 dyshohet se organizoheshin lojëra fati, nëpërmjet tavolinave të pokerit dhe aparateve celularë.
Policia bëri me dije se gjatë kontrollit të aparateve celularë dhe të lokalit, u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive dhe tavolina pokeri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë.
Ndërkohë, u procedua penalisht shtetasi M. M., 24 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


