Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar për të 6-ën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës. Protesta zhvillohet në shenjë kundërshtimi ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit dhe zvarritjes së procesit për formimin e institucioneve.
Aksionit të PDK-së këtë të enjte iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë. Ata kërkuan që procesi të rikthehet në Kuvend, të vazhdojë seanca konstituive dhe të përfundojë formimi i institucioneve.
Asamblistja e PDK-së nga Vushtrria, Vlera Tahiri, tha se qytetarët e kësaj komune kanë nevojë për investime dhe projekte zhvillimore, të cilat, sipas saj, kërkojnë institucione funksionale.
“Vushtrria ka nevojë për investime, projekte zhvillimore dhe një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi. Prandaj, procesi duhet të kthehet në Kuvend, seanca duhet të vazhdojë dhe institucionet duhet të konstituohen”, tha Tahiri.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre për respektimin e Kushtetutës dhe ligjshmërisë. Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që të rikthehet në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve, duke e akuzuar atë për bllokimin e procesit.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Kadrijaj paralajmëroi se nëse situata nuk ndryshon dhe, sipas saj, Kurti vazhdon të njëjtën qasje, protestat do të përshkallëzohen dhe do të jenë edhe më masive. PDK dhe Aleanca deklarojnë se nuk do të ndalen deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Kosovës.


