16.5 C
Tirana

Nuk justifikonte duplexin dhe motorin e bashkëshortit, shkarkohet gjyqtarja Marsela Balili

Më datë:

Gjyqtarja Marsela Balili, e caktuar përkohësisht si pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shkarkuar nga detyra, për shkak se nuk ka mundur që të kalojë Vetingun.

Ky ka qenë vendimi i dhënë pak minuta më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku një nga shtyllat më problematike të rivlerësimit ishte ajo e justifikimit të pasurisë.

Trupa gjykuese kreu procesin e rivlerësimit për Balilin përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Xhensila Pine anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Marsela Balili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2004, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009.

Me vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Balilit iu hoq imuniteti dhe u pezullua nga detyra në vitin 2009, pasi Prokuroria nisi një procedim penal ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi për veprën penale të korrupsionit.

Në fund të procesit, Balili u shpall e pafajshme ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 1 vit burg. Marsela Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017 si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shkrirjes së kësaj gjykate, ajo u caktua përkohësisht anëtare e Gjykatës së Posaçme deri në marrjen e një vendimi nga institucionet e vetingut.

KPK e përfundoi hetimin për Balilin vetëm për kriterin e pasurisë. Në fillim të seancës dëgjimore, e cila u mbaj disa ditë më parë, Balili i paraqiti Komisionit dy kërkesa të drejtpërdrejta. Ajo shpjegoi se kishte siguruar një dokument me vulë apostile për punësimin e prindërve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe se ishte në pritje të një dokumenti tjetër nga Gjermania që, sipas saj, vërteton se tezja e bashkëshortit ushtron aktivitet privat në atë shtet.

Balili tha se do të dorëzonte dokumentacion edhe për një transfertë bankare të kryer nga tezja e bashkëshortit më parë, në formën e dhuratës për t’i paguar familjes së saj pushimet në Korfuz. Për sigurimin e këtyre dokumenteve ajo tha se nevojitej rreth një javë.

Balili kërkoi të merreshin parasysh edhe të ardhurat e saj si pedagoge e jashtme dhe pagat e bashkëshortit si jurist në Bashkinë e Tiranës. Ajo tha se do të depozitonte edhe një listë me shkrim dore të dhuratave që i ishin dhënë nga familjarët për fëmijët dhe me rastin e lidhjes martesore me bashkëshortin dhe kërkoi riçeljen e hetimit për pasurinë.

Trupa gjykuese e KPK vendosi të administrojë dokumentacionin e ri, ndërsa i kërkoi gjyqtares Balili që dokumentet që pritet të vijnë t’i dërgojë të skanuara.

KPK e rrëzoi kërkesën tjetër për rihapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin, duke argumentuar se kjo gjë mund të ndodhte vetëm pasi Balili të provonte të kundërtën e rezultateve të hetimit për kriterin e pasurisë.

Mungesë burimesh për një duplex

Relatorja e çështjes, Etleda Çiftja pohoi se gjyqtarja Marsela Balili penalizohej nga raporti i ILDKPKI, sipas së cilit deklarimet e saj ishin të pasakta dhe në mungesë të burimeve të ligjshme. Raporti gjykonte gjithashtu se Balili kishte kryer fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.

Për një apartament duplex me sipërfaqe 196 m2 të blerë në vitin 2012 në Komunën e Parisit në Tiranë për vlerën 125 mijë euro, Komisioni identifikoi mospërputhje të deklarimeve me dokumentacionin e administruar, mungesë burimesh të ligjshme dhe përfitimin me një vlerë më të ulët nga ai i tregut.

“Duket se ky apartament është blerë në vlerën 1.5 milionë lekë më pak nga çmimi i tregut, por nuk është konstatuar konflikt interesi mes subjektit të vlerësimit dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese,” tha Çiftja.

Ajo vijoi se Balili ka deklaruar si burim krijimi një kredi në vlerën 40 mijë euro të marrë në vitin 2007; shumën 61 mijë euro e përfituar nga shitja e një apartamenti; hua në vlerën 14 mijë euro dhe 10 mijë euro deklarim i pashlyer.

Sipas Komisionit, ka mospërputhje për blerjen dhe pagimin e kësteve për këtë apartament pasi ka ndryshim të çmimit të akt-marrëveshjes që ka qenë për vlerën 130 mijë euro, me atë të akt-shitjes në shumën 125 mijë euro. Sipas KPK, mungon dokumentacioni për revokimin e kontratës me vlerën fillestare.

Komisioni identifikoi se për pagesën e këstit të parë në momentin e akt-porositjes, kredia 40 mijë euro rezulton të jetë marrë për pagesën e një apartamenti tjetër në pronësi të një shoqërie, të ndryshme nga ajo që po ndërtonte duplex-in në fjalë.

Gjithashtu, relatorja Çiftja theksoi se vlera 61 mijë euro e përfituar nga shitja e një apartamenti të mëparshëm rezultonte të ishte përfituar disa muaj pas kryerjes së akt-shitjes dhe likuidimit të shumës për duplexin.

Ndërkohë, Komisioni konstaton se Balili nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit të shitur në vlerën 61 mijë euro, vlerë të cilën subjekti e ka deklaruar si pjesë të shlyerjes së kësteve për duplex-in.

Nga hetimi administrativ është konkluduar se edhe vlera 14 mijë euro e marrë hua nuk mund të përllogaritej si burim i ligjshëm për pagesën e vlerës së apartamentit duplex. Sipas Komisionit, huadhënësi, një mik i bashkëshortit të gjyqtares Balili, nuk ka pasur mundësi financiare me burime të ligjshme për të dhënë huanë 40 mijë euro, prej nga është marrë vlera 14 mijë euro për apartamentin.

Balili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe sqaroi se mospërputhja e vlerës 130 mijë euro e akt-marrëveshjes së vitit 2007 me atë të akt-shitjes së vitit 2012 në shumën 125 mijë euro ndryshon për shkak se duplex-i është dorëzuar me disa punime të brendshme të papërfunduara.

Për kredinë 40 mijë euro, Balili pretendoi se qëllimi kishte qenë blerja e një apartamenti më të madh, edhe pse e kishte shënuar zgjerim. Sipas saj, kredia 40 mijë euro ishte marrë dhe përdorur për pagesën e këstit të parë të apartamentit duplex.

Ndërsa lidhur me konstatimin se rezultonte të ishte marrë për blerjen e një apartamenti tjetër, Balili sqaroi se kishin rëndë dakord me shoqërinë në fjalë për të siguruar kredinë, pasi nevojitej një kolateral. “Kjo kontratë nuk ka asnjë pasojë juridike, ka qenë vetëm për disbursimin e kredisë. Një muaj më vonë ai apartament i është shitur një personi tjetër. Ka qenë vetëm për të marrë kredinë, e cila nuk ka shkuar për apartamentin që diskutohet, por për duplex-in,” tha Balili.

Ajo shpjegoi se në fund të vitit 2011, bashkëshortit të saj i kishte kaluar në llogari një vlerë 84 mijë euro që ishte përfituar nga shitja e apartamentit të motrës në vlerën 104 mijë euro. Balili pohoi se bashkëshorti, duke marrë edhe pëlqimin e motrës së saj dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, kishte kryer veprimet për shitjen e një apartamenti që ata kishin pasur në pronësi.

Balili pohoi se i përdorën ato para për t’u futur në bisedime me firmën ndërtuese dhe shuma 84 mijë euro nisi të përdorej për apartamentin duplex.

Ajo shtoi se në qershor të vitit 2012 firma ndërtuese kishte bërë kontratën e shitjes së duplex-it, duke i thënë se i duhej si kolateral për kredinë, pasi ishin në tratativa për shitjen e apartamentit të mëparshëm. “Duhej ta hiqnim si kolateral, prandaj u bë akt-shitja e duplex-it para se të shitej apartamenti 61 mijë euro,” pretendoi Balili, e cila shtoi se motrës i ishin rikthyer paratë.

Lidhur me konstatimin e Komisionit të mungesës së burimeve për blerjen e apartamentit të shitur në vjeshtën e vitit 2012 në vlerën 61 mijë euro, Balili pohoi se burim krijimi kishin qenë pagat e saj dhe të bashkëshortit, ndërsa ndihmat financiare të bashkëshortit kishin shërbyer vetëm për një pjesë të mobilimit.

Ndërsa lidhur me huamarrjen e 40 mijë eurove në vitin 2011, ajo pohoi se nuk mund të merrnin kredi pasi ishin të pabesueshëm për shkak se ishin të papunë. Sipas saj, në këto kushte ishin detyruar të merrnin huanë për të hapur biznes për të mbajtur familjen, gjë që nuk e kishin arritur.

“Miku i bashkëshortit kishte biznes të ligjshëm dhe nuk kishte probleme. Na i dha për të na ndihmuar që të bënim biznes kur ishim të papunë. Na kanë ndihmuar edhe familjarët dhe tezja e bashkëshortit,” pohoi Balili. Ajo sqaroi se edhe pse huadhënësi nuk kishte deklaruar dividend, paligjshmëria e tij nuk mund të kalonte tek ajo për ta penalizuar.

Ajo shtoi se edhe pse kishte punuar në mënyrë informale, ndihej krenare.

“Na është dashur të bëjmë punë informale… . Të hartoja një kërkesë padi, një mbrojtje. Kam bërë punë të denjë. Nuk kemi histori me pushime luksoze. Ndihem mirë që pas gjithë këtyre viteve jetova me dinjitet. Nuk kam jetuar me para krimi,” deklaroi gjyqtarja Balili.

Për detyrimin 10 mijë euro shoqërisë ndërtuese, gjyqtarja Balili tha se e kishte shlyer në vitin 2018 dhe se nuk e kishte më këtë detyrim.

Problemet për pasuritë e tjera

Komisioni identifikoi mospërputhje deklarimi dhe mungesë burimesh edhe për blerjen e një autoveture tip “Ford Fiesta” në vitin 2012 në vlerën 4 mijë euro. Çiftja tha se Balili ka deklaruar si burim edhe një pjesë të huasë 40 mijë euro të marrë nga bashkëshorti në vitin 2011. Por, sipas KPK, huadhënësi nuk ka pasur burime të ligjshme për të siguruar vlerën 40 mijë euro.

Komisioni identifikoi mungesë burimesh edhe për dy llogari “Futura” në emër të dy fëmijëve të mitur, një në vlerën rreth 1.2 milionë lekë dhe tjetra rreth 680 mijë lekë. Balili sqaroi se llogaritë e fëmijëve ishin krijuar nga të dhuratat e familjarëve, të afërmve dhe të miqve. Ajo shtoi se kishte kontribuar edhe vetë në llogarinë e fëmijës së parë, ndërsa nuk kishte mundur për të dytin pasi ishte e papunë.

Komisioni konstaton se Balili nuk ka deklaruar përdorimin për pushime të një apartamenti të blerë nga prindërit në Vlorë. Për blerjen e këtij apartamenti ka rezultuar se babai ka transferuar nga SHBA vlerat 29 mijë dhe 16 469 USD dhe se ai ka pasur burime për krijimin e këtyre shumave.

Gjithashtu është identifikuar mospërputhje e deklarimeve për çmimin dhe mosdeklarimi në vitin 2012 i një motoçiklete për përdorim vetjak në emër të bashkëshortit, blerë për 140 mijë lekë.

Relatorja Çiftja shtoi se subjekti nuk ka deklaruar një apartament në Vlorë dhe një në Përmet ku ajo dhe bashkëshorti rezultojnë të jenë bashkëpronarë. Ajo theksoi se nga analiza financiare që ka përfshirë vitet 2003-2016, rezulton që Balili të ketë mungesë burimesh të ligjshme për shpenzimet e kryera në periudhat 2010-2011 dhe 2012-2015.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, thirret sërish në SPAK

Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur...

GJKKO i sekuestroi 2 vila, Monika Kryemadhi ankimon vendimin!

Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi ka ankimuar vendimin e...

Rikthehet pas 11 muajsh në Kuvend, Berisha: Do të vazhdoj betejën time

Berisha pas 11 muajsh rikthehet në Kuvend, duke marrë...