Njerëzit më të famshëm dhe të pasur në botë kanë mbërritur në Venecia për dasmën e shekullit që do të vazhdojë për tri ditë, atë të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez, teksa qyteti është përfshirë nga protestat.
Kim dhe Khloé Kardashian janë parë duke hyrë në taksitë ujore, ndërsa vëmendjes nuk i kanë shpëtuar as Kris Jenner, Oprah Winfrey, Leonardo DiCaprio, Orlando Bloom dhe mbretëresha Rania e Jordanisë.
Vajza e Donald Trump, Ivanka ishte gjithashtu ndër të parat nga 200 të ftuarit dhe është parë duke shëtitur dhe bërë pazare nën të nxehtin përvëlues, raporton The Guardian.
Më shumë se 90 avionë privatë sollën të ftuarit në aeroportin “Marco Polo”, ndërsa të tjerë erdhën me jahtet e tyre.

Bezos dhe Sánchez i kanë nisur festimet që mbrëmjen e së enjtes në Madonna dell’Orto, një kishë e shek. XIV në Cannaregio që është shtëpia e veprave të artistit të Rilindjes italiane, Tintoretto.
Herët në mbrëmje, ura që të çon drejt kishës ishte bllokuar nga truprojat e sigurisë dhe ishte e pranishme edhe policia. Brenda dëgjohej muzikë ndërsa një korridor i vogël me ekrane të zinj lehtësoi hyrjen e të ftuarve pa u dalluar ndërsa zbrisnin nga taksitë ujore. Mes tyre ndodhej edhe Leonardo DiCaprio.
Autoritetet veneciane kanë përforcuar sigurinë në qytet, ndërsa kalimtarët dhe trafiku ujor është ndaluar në zonën ku po bëhej festa të enjten nga ora 16:30 deri në mesnatë, si përpjekje për të penguar protestuesit që kishin kërcënuar se do ta prishnin eventin.

Dasma e çiftit pritet të kushtojë 40-48 milionë euro. Nusja dhe dhëndri mbërritën me helikopter në Venecia ditën e mërkurë dhe po qëndrojnë në hotelin me shtatë yje, Aman, ku qëndruan edhe George dhe Amal Clooney gjatë dasmës së tyre në vitin 2014. Dhomat me pamje nga kanali Grand kushtojnë rreth 4 mijë dollarë nata.
Çifti është parë duke u larguar nga hoteli rreth darkës dhe Sánchez kishte një fustan nga arkiva e Alexander McQueen, një prej 27 fustaneve që do të shohim gjatë fundjavës.
Cagdas Halicilar, sozia gjermane e Jeff Bezos, e ka bërë turmën lëmsh ndërsa pozonte pranë hotelit Aman dhe më pas shkoi në zonën ku po ndodhte festa.
Prej javësh, qyteti zien nga protestat për dasmën që sipas kritikëve, kërcënon që ta kthejë këtë trashëgimi të UNESCO-s që vizitohet nga miliona turistë, në një kënd lojërash për të pasurit.

Luca Zaia, presidenti i rajonit të Venetos, tha se çifti ka rritur dhurimet ndaj një projekti që studion sistemin e lagunës së qytetit nga një në dy milionë dollarë.
Bezos dhe Sánchez do të betohen për dashuri të përjetshme ditën e premte në një ceremoni në ishullin e San Giorgio Maggiore, ndërsa do të shoqërohen nga zëri i djalit të Andrea Bocelli, Matteo. Në ishull ndodhet një kishë me margaritarë arti si “Darka e fundit” e Tintoretto, një amfiteatër dhe një labirint kilometrik.
Pritja e madhe do të mbahet të shtunën në Arsenale, një kompleks historik kantieresh detare që rrethohet nga mure të fortifikuara.
Gjatë ditëve në vijim do të ketë një festë me pizhama, një festë me shkumë dhe një tjetër me tematikën e Getsbit të Madh.