17.5 C
Tirana

Merkel kërkon embargo të armëve ndaj Libisë

Më datë:

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë thirrje për embargo të armëve ndaj Libisë për të lehtësuar një zgjidhje politike të konfliktit në këtë vend.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merkel përsëriti premtimin e komandantit renegat me qendër në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, për të respektuar armëpushimin dhe për të pranuar ftesën për pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Berlinit mbi Libinë, e planifikuar të mbahet të dielën.

“Para së gjithash, është një lajm i mirë që ai është i gatshëm të zbatojë armëpushimin”, tha Merkel, duke theksuar se kjo është një nga kërkesat për një konferencë të suksesshme në Berlin.

Kancelarja gjermane bëri thirrje për një angazhim të ri nga palët në konflikt për të respektuar embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara (OKB) ndaj Libisë.

“Në konferencën mbi Libinë, mbi të gjitha duhet të arrijmë që embargoja e armëve të zbatohet. Ajo është rënë dakord në kuadër të OKB-së, por deri më tani nuk u zbatua”, tha Merkel.

Forcat e Haftar-it, të cilët morën mbështetje nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, nisën një ofensivë të madhe ushtarake në muajin prill të vitit të kaluar për të pushtuar Tripolin nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB-ja, veprim i cili tërhoqi kundërshtim të fuqishëm ndërkombëtar.

Sipas OKB-së, që nga fillimi i ofensivës mbi 1 mijë persona janë vrarë dhe mbi 5 mijë të tjerë janë plagosur.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin.

Por, bisedimet për një marrëveshje të përhershme të armëpushimit përfunduan pa marrëveshje të hënën, pasi Haftar u largua nga Moska duke kërkuar një afat dy-ditor për t’u këshilluar me fiset lokale vendase për miratimin e tyre, ndërsa kreu i GNA-së, Fayez al-Sarraj, nga ana e tij nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit.

Dje, pas një takimi prej rreth tre orëve me kryediplomatin gjerman, Heiko Mass, në qytetin libian Benghazi, Haftar premtoi se do të respektojë armëpushimin.

Në një postim në Twitter, Maas shkroi se Haftar pranoi ftesën e qeverisë gjermane për të marrë pjesë në konferencën në Berlin mbi paqen libiane.

“Gjenerali Haftar ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të kontribuar në suksesin e Konferencës së Libisë në Berlin dhe është i gatshëm të marrë pjesë në të. Ai ka përsëritur angazhimin e tij për të zbatuar armëpushimin”, tha Maas.

Gjermania kërkon t’i sjellë në Konferencën e Berlinit palët e konfliktit dhe vendet e shqetësuara me çështjen libiane, në një përpjekje për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike të konfliktit.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në lindje të Libisë e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Plagosi 41-vjeçarin me thikë në Vlorë, momenti kur autori vihet në pranga 

Policia e Vlorës ka vënë në pranga 51-vjeçarin Abaz...

Zgjidhen anëtarët e rinj të KED për vitin 2025

Në Institucionin e Presidentit të Republikës u hodh sot...

Nis shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët

Ditën e sotme ka nisur shpërndarja e bonusit të...

Vrasja e shqiptarit në Itali, 37-vjeçari arrestohet 7 vite pas ngjarjes

Shtatë vjet pas vrasjes së 33-vjeçarit Edvin Sadiku në...