Teksa shohin djersën e tyre të dy dekadave të kthehet në gërmadha, banorët e Astirit ngrenë akuza se shtëpitë dhe bizneset e tyre po sakrifikohen për t’i hapur rrugë pallateve të oligarkëve.
Nensi Bogdani – BIRN
Fytyra të zymta qëndrojnë kudo në këmbë, me sytë e drejtuar nga punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të cilët po i vendosnin minat një ndërtese 6-katëshe e shënjuar për t’u shembur.
Ish-sheshi Shqiponja, dikur një pikë referimi për të shumë qytetarët e Tiranës, tashmë i përngjan një sheshi lufte,ku kudo shihen rrënoja shtëpish dhe ndërtesa të shembura, një kaos makinash të ngecura në trafikun e bllokuar nga punimet dhe turma njerëzish të mbledhur.
Gjatë tre ditëve të fundit në zonën e “Astirit”, IKMT ka vazhduar shembjet e ndërtimeve për t’i hapur rrugë zgjerimit të “Unazës së Madhe”, i cili prek dhjetëra banesat dhe biznese ku banorët kanë investuar prej dy dekadash.
“Unë jam i pari që mbështes zhvillimin sepse e dua vendim tim. Por ky plan nuk ka të bëjë me zhvillim apo përmirësim,” u shpreh një ish-punonjës policie të cilit iu shemb shtëpia 2-katëshe dy ditë më parë.
Sipas bashkisë së Tiranës zgjerimi i Unazës së Madhe ka për qëllim zvogëlimin e trafikut të zonës, ndërkohë që banorët e shohin si komplot midis qeverisë, bashkisë dhe firmave private për ndërtimin të pallateve shumëkatëshe.
“Kjo është një demagogji, është një mashtrim, ky projekt është për oligarkët dhe për ngritjen e pallateve për përfitime personale,” shtoi ai.
Qeveria shqiptare hartoi në vitin 2015 një projekt tëri urban të titulluar “Unaza e Madhe e Tiranës, Segmenti Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës” sipas të cilit do të ndërtohej një rrjet i ri komunikimi dhe transporti që do të lehtësojë transportin rrugor por që prek zonën e banueshme dhe të mbipopulluar të ‘Astirit.’
Pas miratimit të këtij projekti nga Këshilli i Ministrave shpërthyen protesta të shumta nga banorët e zonës dhe opozita, të cilët kërkonin mbrojtjen e pronës së tyre private dhe dëmshpërblim të drejtë në rast shembjes për interes publik. Shumë prej këtyre protestave degjeneruan në dhunë vetëm ndërhyrja me forcë e Policisë së Shtetit në nëntor i hapi rrugë fadromave të IKMT-së, pas një beteje gati dy vjeçare midis banorëve dhe qeverisë.
“Na iku prona, na iku shpirti, na ikën fëmijët! Për ne çdo gjë ka marrë fund”, deklaron duke kujtuar ngjarjet e 16 Nëntorit të 2019, Valentina Mema, një prej banoreve te zonës, e cila shtoi se “30 vite djersën e kam nën rrënojë.”
“Kanë hedhur gaz që të na nxirrnin nga shtëpia. Ne as nuk po protestonim. Thjesht ishim mbledhur gra dhe fëmijë dhe po rrinim pranë banesave tona. Policia ishte mobilizuar aq shumë sa kam parë edhe polica me snajpera për të na frikësuar,” kujtoi ajo.
Qindra forca policore rrethuan një grusht banorësh në zonën e Astirit në mëngjesin e 16 nëntorit ende pa gdhirë për t’i hapur rrugën shembjes së 33 banesave dhe bizneseve të tyre.
Mema thotë se autoritetet nuk i shembën vetëm shtëpinë, por edhe lokalin, dhe se fill pas kësaj, ditën tjetër djali i saj la Shqipërinë dhe iku në kërkim të azilit, pasi edhe ai ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë nuk shohin më një të ardhme ku mund t’u sigurohet e drejta e tyre për një jetesë normale.
Ngjashëm, edhe familjarë të tjerë thanë se ata tani presin çdo gjë dhe nuk kanë më besim se dikush do ua gjejë të drejtën e tyre.
Vetë banorët i përgënjeshtrojnë deklaratat se qeveria i ka ofruar strehim social dhe dëmshpërblim për pronat e shembura, duke thënë se askush nuk është interesuar se ku do të strehoheshin ato pas humbjes së pronës së tyre apo bizneseve nëpërmjet te cilave nxirrnin bukën e gojës.
Për sa i përket kompensimit monetar, ata pohojnë se akoma nuk kanë marrë asgjë, por edhe shuma që iu është premtuar është qesharake në lidhje me shpenzimet dhe humbjet që kanë pësuar.
“Unë kam humbur 70 milionë [lekë] deri tani, përfshirë procesin e legalizimit dhe me kreditë që kam marrë. Na kanë premtuar vetëm 200 milion përshirë shtëpinë dhe lokalin,” tha një banore e zonës, e cila u ankua se është e sëmurë dhe po i nënshtrohet edhe kimioterapisë.“Lokalin që punonim familjarisht dhe që nxirrnim fitime na e prishën. Ashtu edhe shtëpinë. Kush mi mbulon mua të gjitha këto,” pyeti ajo.
Qeveria shqiptare është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për shembjen pa dëmshpërblim apo për shembjen përkundrejt çmimeve shumë më të ulëta se sa tregu si dhe për mospagesë të dhjetëra miliona eurove detyrime shpronësimi, shkelje që kanë lënë pas një zinxhir vuajtjesh dhe varfërie për qytetarët e pafuqishëm.
“Kjo që po ndodh me ne tani është akoma më keq se tërmeti. Këtë po na e bëjnë njerëzit!”, pohoi një zonjë që banon vetëm pak metra më tutje rrethrrotullimit, e cila preferoi të identifikohej vetëm me mbiemrin e saj, Kraja.
Të premten në mëngjes e gjithë familja ishte duke pritur urdhrat e IKMT-së që të evakuohej nga shtëpia, pasi pas pak orësh do të shembej dhe banesa ngjitur me to. Nga biznesi i tyre familjar, një bar kafe, gjithashtu kanë mbetur vetëm rrënojat , pasi është shembur dy ditë më parë, dhe tani u mbetet vetëm të njohin fatin e shtëpisë së tyre.
“Jetojmë këtu që prej 1999, por procesin e legalizimit e kemi filluar në 2005. Qeveria nuk ma kishte legalizuar lokalin deri tani, por ndërkohë unë i kam paguar taksat rregullisht për 25 vite”, tha zonja Kraja, duke pohuar se shteti ia kishte pranuar pagesën e taksave edhe pse i thonin se prona ishte pa letra.
Edhe banorët qe i kanë pasur pronat e legalizuara shprehen se nuk janë kursyer nga fadromat e IKMT-së.
“Unë e kisha shtëpinë të legalizuar dhe me hipotekë, por nuk më është dhënë asnjë lloj sqarimi” pohoi ish-punonjësi i policisë duke theksuar se banesa i është shembur nga autoritetet pa asnjë lloj sqarimi dhe nuk i është paraqitur asnjë projekt konkret në letër. I zhgënjyer ai shtoi se ka humbur çdo shpresë në drejtësinë shqiptare./Reporter.al/