Begaj në SHBA: Ëndrra amerikane mbetet e arritshme, dëshmi se liria funksionon

Më datë:

 Presidenti Bajram Begaj po zhvillon vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj vizite, ai mori pjesë si i ftuar nderi në forumin “The American Dream at 250: Still Within Reach?”, organizuar nga Universiteti i Teksasit A&M dhe shkolla Xhorxh Bush për Qeverisje dhe Shërbim Publik një traditë e cila mbledh që prej vitit 1982 udhëheqës shtetesh, liderë politikë dhe ekspertë akademikë të njohur ndërkombëtarisht.

Në fjalën e mbajtur në këtë forum, kreu i shtetit ndau reflektime mbi historinë, demokracinë, lidershipin dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se “ëndrra amerikane” vijon të jetë e arritshme.

Duke iu drejtuar studentëve, ai u prezantua përmes rrugëtimit të tij.

“Jam një mjek që u bë ushtarak, e më pas presidenti i një vendi që kaloi pesë dekada duke ndërtuar mure për të mbajtur larg qytetarëve të vet idetë si liria dhe qeverisja demokratike”, tha ai.

Presidenti Begaj rikujtoi se rrënjët e ëndrrës amerikane datojnë 250 vite më parë, kur në Filadelfia u hodhën bazat e një ideje të fuqishme mbi dinjitetin njerëzor.

“Ishte një set argumentesh, argumente mbi natyrën e dinjitetit njerëzor, që bota ka kaluar dy shekuj e gjysmë duke i debatuar dhe duke u përpjekur t’i bëjë realitet”, tha ai.

Duke ndalur te Shqipëria komuniste, ai theksoi izolimin ekstrem të vendit.

“Regjimi ndërtoi 750.000 bunkerë betoni… për të ndaluar influencën e botës dhe për t’i mbajtur të izoluar qytetarët e vet”, tha Begaj.

Megjithatë, “ëndrra amerikane depërtoi jo me leje, por me dëshirë të madhe”.

Presidenti Begaj kujtoi momentet e vitit 1991.

“Shqiptarët nuk dolën në rrugë duke valëvitur flamuj ideologjikë. Dolën duke kërkuar të jenë të lirë”, tha ai.

Presidenti theksoi në ligjëratën e tij se Shqipëria që në fillim të zhvillimeve demokratike zgjodhi Amerikën “ jo si simbol abstrakt, por si partner konkret, real, si pikë referimi strategjik”.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vuri theks të veçantë te forca e institucioneve demokratike dhe kultura e debatit në SHBA.

“Në një demokraci të shëndetshme, një institucion bëhet më i fortë kur njerëzit brenda tij janë të lirë ta sfidojnë atë”, tha ai.

Ai theksoi se sfidat aktuale janë vendimtare për demokracitë dhe se ai është optimist për të ardhmen.

“Përgjigjja është ende po. Ëndrra Amerikane është ende e arritshme”, tha Begaj.

Presidenti theksoi se “për vende si Shqipëria, ëndrra amerikane ka qenë busull… dhe për sa kohë frymëzon përtej kufijve, ajo nuk i përket vetëm Amerikës”.

Në përfundim, Presidenti ftoi të rinjtë ta mbajnë gjallë ëndrrën amerikane sepse ajo është dëshmia se liria funksionon.

Gjatë vizitës në shtetin e Teksasit, Presidenti i Republikës u prit në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të autoriteteve vendore

Presidenti Begaj u nderua me “Çelësin e Qytetit” të Bashkisë së Conroe-s.

Kreu i Shtetit zhvilloi gjithashtu homazhe në Memorialin e Veteranëve në Montgomery County, ku përfshihen edhe emrat e shqiptaro-amerikanëve që shërbejnë në ushtrinë amerikane.

Në vijim të vizitës, Presidenti kreu gjithashtu homazhe në varrin e Presidentit Xhorxh Bush.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Hetime për shpërthimin në kasollën e bagëtive në Tepelenë

Detaje të reja mësohen lidhur me ngjarjen e 21...

Jep dorëheqjen drejtori i AMP, e zëvendëson ish-drejtori i burgjeve Klevis Qosja

Drejtori i AMP, Eduart Meraj, ka dhënë dorëheqje nga...

Tension në Kuvend, Alizoti: Nëse s’ka përballje, mbylleni Parlamentin

Kritik ka qenë qëndrimi i Tomor Alizotit, gjatë fjalës...