16.5 C
Tirana

Ish-kreu i bandës së Durrës në liri, Gjonaj: Ndjekje penale për gjyqtaren Enkeleda Hoxha, e paralajmëruam

Më datë:

Një këmbanë alarmi e ka konsideruar ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj lirimin nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Endrit Dokle. Në një dalje për mediat, Gjonaj tha se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha, si edhe ka kërkuar ndjekje penale për të. Po ashtu nga detyra është shkarkuar edhe drejtori i shërbimit të provës në Krujë.

“Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një këmbanë alarmi për procesin ku ndodhet drejtësia. Ndihem e keqardhur për këtë vendim edhe pse shqetësimin e kam shprehur institutocionalisht para se të bëhej duke kërkuar verifikim të menjëhershëm. Shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleda Hoxha është përçuar në 8 Janar 2018 pas lirimit të Genc Tafilit. I jam drejtuar Inspektorarit të Këshillit duke ndeshar heshtje dhe papërgjegjshmëri. Është kryer një verifikim i vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike. Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me kriteret e lirimit me kush dhe kodit penal.

Në datën 15 janar i jam drejtuar KLGJ për pezullimin e saj dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit. Po ashtu kam kërkuar ndjekje penale ndaj gjyqtares për parandalimin e fenomeneve të tilla. I kam kërkuar KPK për ndjekjen me prioritet të procesit të gjyqtares por edhe për raste të tilla të ngjashme. Nga hetimi ka rezultuar se nga drejtoria e shërbimit të provës, ka vepruar në shkelje të dispozitave ligjore. Janë marrë masat nga ministria e drejtësisë, duke pezulluar drejtorin e shërbimit të provës Krujë, dhe është kallëzuar penalisht.

Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, përsëris nevojën e një reagimi nga gjithë institucionet e drejtësisë. Këto vendime, që po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore për interesa të tyre, duhet të marrin ndëshkimin nga institucionet e reja të drejtësisë me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia. Kuvendi do të shqyrtojë propozimet për masat ndaj gjyqtarëve, e quajtur KÇK që do të japë instrumenta efikasë për këtë kategori gjyqtarësh e prokurorësh.” u shpreh Gjonaj.

Deklarata e plotë:

Ndaj me ju sot, shqetësimin e thellë timin dhe të qeverisë mbi vendimin skandaloz të gjyqtares së rrethit gjyqësor Krujë, Enkeleida Hoxha, për lirimin me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo norme funksionale të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

Lirimi në shkelje të ligjit, i të dënuarve me burgim të përjetshëm  – fenomen gjithnjë e më i shpeshtë kohët e fundit – është një këmbanë alarmi, për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia në këtë fazë tranzitore të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve, që evidenton edhe njëherë nevojën e thellë për këtë spastrim të radhëve të gjyqësorit.
Ndjehem e keqardhur për këtë vendim, edhe pse shqetësimin për këtë çështje, e kam shprehur dhe adresuar institucionalisht që në fazën e gjykimit të saj, bazuar në informacionin që disponononim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i provës, duke patur indicie apo dyshim mbi objektivitetin dhe paanësinë e këtij gjykimi, duke kërkuar veç të tjerash verifikim të menjëhershëm nga Institucionet përgjegjëse.

Sjell në kujtesën e publikut se shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleida Hoxha, është adresuar që më datën 8 janar 2018, pas publikimit të lajmit të lirimit të një tjetër të dënuari me burgim të përjetshëm, Genc Tafili.

E njejta gjyqtare, e njëjta sjellje skandaloze me ligjin, i njëjti rezultat deshpërues për drejtësinë e për shoqërinë, që pret vetëm drejtësi nga gjykatat e këtij vendi. Zyrtarisht i jam drejtuar ateherë Inspektoratit të Këshillit (në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë), duke kerkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha, por, duke ndeshur të njejtën heshtje dhe papërgjegjshmëri që për shumë e shumë vite ka kalbëzuar sistemin e drejtesise ne Shqipëri.

Lidhur me vendimin e finalizuar pak ditë më parë nga gjyqtarja Hoxha, nga ana e Ministrisë së Drejtësisëështë kryer me hollësi e shpejtësi një verifikim administrativ i dokumentacionit të administruar, vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike, për të zbardhur të gjitha shkeljet dhe anomalitë në këtë vendim. Nisur nga analiza e detajuar që Ministria e Drejtësisë ka kryer, gjithashtu referuar edhe rasteve të tjera, të cilat, kanë pasur ngjashmëri në trajtim dhe të cilat i janë referuar inspektoratit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezulton se gjyqtarja.

ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore të Kodit Penal lidhur me kriteret ligjore të parashikuara për lirimin me kusht, ashtu si dhe të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë në të cilën argumentohet zbatimi i ligjit në kohë dhe në hapësirë.

Edhe pse Ministria e Drejtësisë, nuk ka kompetenca të drejtëpërdrejta ligjore mbi sistemin e drejtësisë, si një aktor në kuadrin e monitorimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, ndjej detyrimin kushtetues dhe qytetar, të sjell në vëmendjen e të gjitha institucioneve të drejtësisëdhe aktorëve të tjerë nevojën për të ndërmarrë veprime institucionale në përgjigje të abuzimeve te gjyqtarëve dhe prokurorëve, që me vendimmarrjet e tyre haptazi në shkelje të ligjit po cenojnë hapur rendin kushtetues e juridik, interesin e qytetarëve, dhe besimin e tyre te drejtësia.

Si rezultat i shkeljeve të konstatuara dhe duke mbajtur parasysh se veprime të tilla, me pasoja të rënda në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend, kanë krijuar zemërim të opinionit të gjerë publik, kanë cenuar rëndë paanshmërinë dhe objektivitetin në dhënien e drejtësisë, në datën 15 janar:

I jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar, me qëllim mostolerimin e asnjë vendimi të tillë, i cili sfidon haptazi procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe punën e përkushtuar të institucioneve të reja në këtë proces jetik për forcimin e shtetit të së drejtës.

Njëkohësisht i  kam kërkuar Institucionit të Prokurorisë, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares, jo vetëm për ndëshkimin e vendimmarrjeve abuzive, por edhe për parandalimin e fenomeneve të tilla me pasoja të rënda në besimin e qytetarëve tek drejtësia.

I jam drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për ndjekjen me prioritet të përshpejtuar të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtares, por edhe  të gjithë rasteve të tjera të ngjashme, mbi të cilët, në vite, rëndojnë akuza të shumta publike për paligjshmëri dhe korrupsion.

Po gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se edhe Drejtoria e shërbimit të provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast.

Si rezultat i kësaj, janë marrë të gjitha masat administrative nga Ministria e Drejtësisë, duke pezulluar menjëherë nga detyra Drejtorin e shërbimit të provës Krujë dhe po dje, është depozituar kallzim penal ndaj tij, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Krujë për shpërdorim detyre.

Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, ashtu si dhe duke mbajtur në vëmendje, vendimmarrje të ngjashme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për lirimin apo favorizimin e subjekteve kriminalë me rrezikshmëri të lartë, të cilat po kthehen në një precedent negativ, përsëris me zë të lartë nevojën e një reagimi të menjëhershëm institucional nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.

Vendime të tilla të dhëna nga individ të caktuar, apo individë të tjerë të cilët po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore, duke e patur të qartë që nuk do ta kalojnë procesin e vettingut, dhe që po veprojnë për interesa personale, duhet të marrin reagimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm nga institucionet e reja të drejtësisë me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i ri që po ndërtojmë por njëkohësisht edhe imazhin e vëndit në procesin e integrimit evropian.

Nderkohë, Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë dhe shpresoj miratoj, me urgjencë, në ditët e ardhshme propozimet e bëra nga qeveria në kuadrin e paketës së reformës në drejtësi për masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve (e ashtëquajtura paketa anti-KÇK), e cila, padyshim do t’u japë institucioneve te reja të drejtësisë, instrumenta të rinj efikas, për të reaguar ndaj kësaj kategorie gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët,duhet të përgjigjen penalisht për vendimet e tyre, dhe jo ta kenë vendin në sistemin e drejtësisë./Balkanweb/

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku...

Rama për ‘Il Giornale’: Lufta ndaj emigracionit, Meloni ka befasuar shumë njerëz

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median...

Partia e Lirisë: Bujqësia, prioritet i programit tonë

Partia e Lirisë ka shpallur bujqësinë dhe ushqimin si...

Eurodeputeti Gori: Opozita duhet të heqë dorë nga përleshjet në sheshe

 U përpoq deri në minutën e fundit për një...