Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të dielën se shpresa e rigjallëruar në Libi me anë të armëpushimit dhe Samitit të Berlinit nuk duhet të sakrifikohen për ambiciet e tregtarëve të gjakut dhe kaosit.
Kreu i shtetit turk organizoi një konferencë shtypi në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit përpara nisjes së tij drejt kryeqytetit Berlin të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për Libinë.
“Ne theksuam në çdo rast se një zgjidhje e përhershme politike në Libi mund të sigurohet përmes dialogut (…) Gjithashtu ne e forcuam bashkëpunimin tonë me qeverinë e ligjshme libiane përmes dy memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara në fund të vitit 2019. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar nuk ka reaguar siç duhet deri më sot kundër sulmeve të pamatura të Haftarit”, theksoi ai duke shtuar se “Turqia është bërë çelësi i paqes në Libi me përpjekjet e saj në terren dhe diplomaci”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të presin së bashku Samitin e Berlinit, i cili do të kërkojë një angazhim më të fortë nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për mosndërhyrjen në Libi, për të mbështetur realisht armëpushimin dhe për të respektuar embargon e armëve të OKB-së.
Erdogani paralajmëroi se shpresa e rigjallëruar në Libi me anë të armëpushimit dhe Samitit të Berlinit nuk duhet të sakrifikohen për ambiciet e tregtarëve të gjakut dhe kaosit.
“Veprimet e puçistit (Khalifa) Haftar dhe mbështetësve të tij, të cilat shkelin haptazi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë injoruar prej një kohe të gjatë”, precizoi ai.
Sidoqoftë – vijoi presidenti – Turqia ka mbajtur një qëndrim parimor dhe të qëndrueshëm kundër krizës në Libi që nga dita e parë e saj.
Krahas Presidentit Erdogan, pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Berlinit e konfirmuan po ashtu Presidenti rus – Vladimir Putin, Presidenti francez – Emmanuel Macron, Kryeministri britanik – Boris Johnson, Kryeministri italian – Giuseppe Conte dhe sekretari amerikan i Shtetit – Mike Pompeo.
Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu se ftesat për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë i kanë pranuar edhe Kryeministri i Libisë – Fayez al-Sarraj, edhe kreu i forcave të armatosura ilegale në lindje të vendit, Khalifa Haftar.
Zyrtarë të lartë nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), mbështetësit kryesorë të Haftarit, do të marrin gjithashtu pjesë në këtë samit.
Lideri turk vlerësoi mes të tjerash edhe vizitën e Haftarit në Greqi.
“Greqia është seriozisht e shqetësuar për faktin që nuk u ftua në Gjermani. Për më tepër, Greqia ishte tërbuar nga marrëveshja ndërmjet Libisë dhe Turqisë. Vizita e Haftarit në Greqi nuk ka asnjë vlerë”, u shpreh Erdogani dhe shtoi Greqia po bën hapa të gabuara në lidhje me Libinë.