Dy persona janë arrestuar në Lezhë dhe Kurbin, pasi akuzohen për dhunë ndaj familjarëve dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit, municionit dhe lëndëve plasëse.
Në Lezhë, policia arrestoi në flagrancë një 33-vjeçar, i cili dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e vëllait.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan pesë kallëpë tritoli, një pushkë dhe municion luftarak.
Ndërkohë, në Kurbin u arrestua një 48-vjeçar nga Mamurrasi, i dyshuar se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
Në banesën e 48-vjeçarit u gjet një automatik me fishek në fole, si dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan nga policia.
Njoftimi i Policisë:
Ushtruan dhunë ndaj familjarëve të tyre në Lezhë dhe Kurbin, si dhe posedonin armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas.
Sekuestrohen 5 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri (njëra me fishek në fole) dhe municion luftarak.
Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin në banesa sendet e kundërligjshme.
I arrestuari në Lezhë dhunoi bashkëshorten e vëllait, ndërsa i arrestuari në Kurbin dhunoi babanë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga Policia e Lezhës dhe e Kurbinit, pas telefonatave për dhunë në familje, janë vënë në pranga shtetasit:
-Në Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi M. P., 33 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e vëllait. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 5 kallëpë tritoli, 1 armë zjarri (pushkë) dhe municion luftarak.
-Në Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri (automatik), me fishek në fole, dhe municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme


