Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
Në një reagim për mediet, Bardhi theksoi se, “nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën. Nuk ka akt më brutal dhe të dhunshëm sesa të burgosesh për fjalën e lirë. Nuk ka autoritarizëm më të madh sesa të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të refuzosh të dorëzosh para drejtësisë një deputet të mazhorancës. Nuk ka veprim më të dhunshëm sesa të marrësh hapur autorësinë e vendimeve politike të gjykatave që burgosin opozitën dhe të kërcënosh me fjalor rruge këdo që guxon të denoncojë lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar”.
Bardhi nënvizoi se, grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushteteve, asgjësimit të parimeve demokratike, shantazhit dhe dhunës ndaj opozitës e qytetarëve, rikthimit të metodave të Sigurimit të Shtetit për përndjekjen kundër opozitës dhe qytetarëve, apo ngritjes në majat e pushtetit të krimit të organizuar.
“Dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale,” u shpreh Bardhi.
Bardhi theksoi se, nga protesta apo aktet simbolike nuk i rrezikohet jeta askujt.
“Nga përballja me krimin e organizuar dhe qeverisjen e kriminalizuar të lidhur me të, që është mision i çdo deputeti që mbron interesin publik, i rrezikohet jeta e prona kujtdo, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë,” shtoi Bardhi.
Për këtë arsye, vijoi ai, reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
“Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjësimin e çdo grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal,” u shpreh Bardhi.
Më herët sot reaguan ambasadat e SHBA dhe BE, të cilat dënuan aktet e dhunës në seancën e djeshme në Kuvend dhe djegien e karrigeve nga deputetët e opozitës. Ndërkohë, Policia e Shtetit referoi në SPAK 23 deputetë të Partisë Demokratike, të cilët akuzohen për dhunë në Kuvend dhe shkatërrim prone.