Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi sot kërkesën e opozitës për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin që lidhet me statusin dhe pagat e magjistratëve.
Në nisje të seancës plenare, Balla tha se Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe se tashmë i takon seancës plenare të shprehet për projektligjin.
“Kërkesa juaj nuk mund të miratohet, sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur”, tha Balla, ndërsa e cilësoi “hipokrit” qëndrimin e demokratëve, duke argumentuar se fillimisht akuzuan mazhorancën për vonesa dhe tani kërkojnë shtyrjen e votimit.
Balla tha se mazhoranca do të votojë kundër kërkesës së PD-së dhe se projektligji do të diskutohet sot në Kuvend.
“Kështu që vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike është kundër, sepse kërkesa është hipokrite. Na u tha që jemi vonuar, tani na thoni meqë jemi vonuar duhet ta shtyjmë. Ka diskordancë qëndrimesh në raport me detyrën që ka Kuvendi, e votojmë sot”, shtoi Balla.
Ai iu drejtua gjithashtu Presidentit të Republikës, duke kërkuar bashkëpunim, nëse ligji miratohet të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe, sipas tij, të zhbllokohet çështja e pagave të magjistratëve.


