Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi zhvillimet e fundit lidhur me masën e sigurisë ndaj ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni duke deklaruar se Partia Socialiste nuk ndërhyn në përmbajtjen e dosjeve të SPAK-ut.
Në një prononcim për mediet pas takimit me delegacionet e Bundestagut gjerman, Balla tha se çdo zyrtar ndaj të cilit vendoset një masë kufizuese e lirisë duhet ta kundërshtojë atë në gjykatë.
“Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve. Çdo zyrtar, pa imunitet që nuk kalon nga Parlamenti, duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë të të gjitha formave, qoftë arrest me burg, qoftë arrest shtëpie, në gjykatë”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se PS dhe grupi i saj parlamentar nuk marrin përsipër mbrojtjen e personave që përballen me drejtësinë.
“Partia Socialiste e Shqipërisë, grupi i saj parlamentar, nuk janë avokatë mbrojtës të askujt. Avokatin ta gjejë vetë”, u shpreh ai.
Balla deklaroi gjithashtu se mazhoranca mbështet punën e SPAK-ut dhe kërkoi që hetimet të vijojnë të jenë të pavarura dhe të pandikuara politikisht.
“Ne mbështesim fuqimisht Prokurorinë e Posaçme të bëjë një hetim të pa ndikuar. Vlerësojmë maksimalisht punën që është bërë nga SPAK-u në këto 7-8 vite të punës së tyre”, tha Balla.
Duke iu referuar rastit në fjalë, ai tha se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes, duke përmendur edhe vendimin e gjykatës për kufizimin e publikimit të dokumenteve dhe pjesëve të bisedave.
Balla u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke deklaruar se zhvillimet e fundit duhet të shihen në kuadër të funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë.
“Korrupsioni ekziston kudo. E rëndësishme është që ne sot kemi institucione drejtësie të cilat hetojnë, të cilat i shkojnë deri në fund hetimeve”, tha ai.
Për sa i përket përgjegjësisë politike për emërimet në institucionet e rëndësishme të shtetit, Balla deklaroi se pas 13 vitesh në pushtet mund të ketë raste kur persona të emëruar kanë shkelur besimin dhe se këta duhet të përballen me drejtësinë.
“Në 13 vite në pushtet, pasi ke pasur qindra mijëra emërime, mund të ketë dhe me gishta që kanë shkelur besimin. Le të përballen me drejtësinë”, u shpreh Balla.
Në lidhje me takimet me delegacionet gjermane, Balla tha se çështja e zhvillimeve në SHISH nuk ishte pjesë e diskutimeve, ndërsa theksoi se standardi i PS-së është të mos komentojë dosjet hetimore dhe vendimet e drejtësisë.


