Policia e Durrësit ka finalizuar dy operacione të koduara “Rada” dhe “Bashkëpunëtori”, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vjedhjeve me dhunë dhe nën kërcënimin e armës.
Si rezultat i këtyre operacioneve, janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar dy armë zjarri, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të dokumentuar nga hetimet.
Operacioni “Rada”
Në kuadër të operacionit “Rada”, u arrestua një 21-vjeçar, banues në fshatin Mafsheq të Krujës.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se më 19 qershor 2026, rreth orës 02:30, i maskuar dhe i armatosur me armë automatike, ka hyrë në oborrin e banesës së një personi në fshatin Radë me qëllim vjedhjen.
Gjatë ndërhyrjes policore në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe vënë në pranga nga efektivët. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri në cilësinë e provës materiale.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë. Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri”, njofton policia.
Operacioni “Bashkëpunëtori”
Nga operacioni i koduar “Bashkëpunëtori”, policia identifikoi, kapi dhe ndaloi një 51-vjeçar, banues në Tiranë.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin T.M., i arrestuar një ditë më parë në kuadër të operacionit “Taksimetri”, në dy raste vjedhjeje me dhunë ndaj qytetarëve që transportoheshin me automjetin e tij taksi, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit.
Policia bën të ditur se nga veprimet hetimore, analizimi i pamjeve filmike dhe grumbullimi i provave është dokumentuar roli i 51-vjeçarit si transportues i bashkëpunëtorit të tij, i cili dyshohet se kryente vjedhje me dhunë ndaj taksistëve në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Krujën dhe Durrësin.
Gjatë kontrollit në banesën dhe garazhin e të ndaluarit janë sekuestruar prova materiale që, sipas Policisë, e lidhin atë me ngjarjet e hetuara.
“Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi. Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës. Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.
Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i policisë.


