Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shpërndarë në pjesë të fjalimit të presidentes së KE-së Ursula von der Leyen për gjendjen e unionit dhe për masat e reja që do të ndërmerren me qëllim forcimin e sigurisë së Evropës.
Kos shkruan se e ardhmja po çon Bashkimin Evropian drejt zgjerimit dhe se një udhërrëfyes do të hartohet për vendet më të avancuara kandidate, përmendim këtu Shqipërinë dhe Malin e Zi, për t’iu ardhur në ndihmë me përmbushjen e reformave të nevojshme.
“Po i afrohemi gjithnjë e më shumë një Bashkimi të zgjeruar Evropian Presidentja von der Leyen njoftoi në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit se së shpejti do të propozojmë udhërrëfyes për vendet më të avancuara kandidate.
Këta udhërrëfyes do të përcaktojnë një listë të qartë prioritetesh, me afate dhe objektiva konkrete, për t’i ndihmuar kandidatët më të avancuar të përfundojnë reformat e nevojshme. Kjo qartësi do të na ndihmojë të përgatitemi për të shfrytëzuar ritmin e ri të zgjerimit dhe për të forcuar Bashkimin tonë”, shkruan Marta Kos
Një nga propozimet kryesore është krijimi i një Këshilli Evropian të Sigurisë, një format i veçantë i takimeve të liderëve evropianë, ku do të marrin pjesë edhe partnerë të rëndësishëm si Ukraina, Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kanadaja. Sipas von der Leyen, ky format do të krijonte një hapësirë të përhershme për diskutimin e çështjeve të sigurisë së kontinentit.
Një tjetër propozim lidhet me kërcënimet hibride, si sabotazhet, sulmet kibernetike dhe incidentet me dronë. Von der Leyen kërkoi krijimin e një Protokolli Evropian të Sigurisë, i cili do t’u mundësonte vendeve anëtare të koordinoheshin më shpejt kur përballen me kërcënime serioze që nuk arrijnë nivelin e një sulmi të armatosur.
Një tjetër pikë e rëndësishme e planit është rritja e investimeve në të ashtuquajturat kapacitete strategjike. Këtu përfshihen satelitët, avionët e transportit ushtarak, furnizimi me karburant në ajër dhe kapacitetet e inteligjencës. Këto mjete janë të rëndësishme për funksionimin e forcave ushtarake në terren.


