Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se e mirëpret samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, ndërsa shtoi se “do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës”.
https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/284431601084031
“Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Ne do e bëjmë këtë betejë, se kemi të drejtën, kemi të vërtetat me vete. Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë”, theksoi ai në mbledhjen e kryesisë.
Berisha tha se “analiza duhet të ketë qëllim më madhor motivimin e mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve tanë për fillimin sa më parë të një beteje të qëndrueshme, të një lëvizje të fuqishme popullore, që duhet të ketë synimin më madhor, largimin e Edi Ramës nga pushteti”.
“Natyrisht analiza jonë duhet të adresojë të gjithë problematikën e shfaqur gjatë procesit elektoral, pas procesit elektoral, në mënyrë që ne t’u japim përgjigjet më të merituara”, theksoi ai.
Berisha u shpreh se ndërkohë vijon mohimi i të drejtave elementare kushtetuese të opozitës.
“Vazhdon me egërsi përpjekja për ta vënë në kontroll të plotë opozitën, e cila përfaqëson 600 mijë burra dhe gra, që votuan si idealistë, pavarësisht nga industria e tmerrshme e votës dhe makineria e tmerrshme e frikës”, tha ai.


