Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha publikoi sot videon e atentatit ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Shëngjinit, Salvator Kaçi.
Përmes një deklarate për mediet, Berisha tha se “kjo video mbetet dëshmi flagrante e asaj që kemi thënë se në farsën elektorale të 14 majit, krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim”.
“Më datën 14 maj kam denoncuar atentatin e dështuar, të organizuar nga bandat kriminale, ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvator Kaçi, i cili po kalonte së bashku me të birin, po udhëtonte, dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit, e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal”, theksoi ai.
Berisha theksoi se në video tregohet qartë se si kriminelët i zunë rrugën makinës së tij dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan.


