Zëdhënësja për Antikorrupsion e Komisionit të Rithemelimit, pranë Partisë Demokratike, Genta Vangjeli ngriti sot akuza ndaj qeverisë për korrupsion lidhur me kontratat koncesionare.
“Referuar publikimeve zyrtare të Agjencisë të Trajtimit të Koncesioneve, gjatë periudhës 2014 -2022, janë lidhur (19) kontrata në fushën e transportit, (49) në fushën e energjisë dhe gazit, (1) kontratë në fushën e mjedisit, (2) kontrata për zhvillimit urban, (4) kontrata në fushën e shëndetësisë, dhe (4) kontrata për kontrollin fiskal. Përse gjithë këto koncesione apo PPP kur, nga auditimi i procesit të miratimit/refuzimit të projekteve koncesionare të përzgjedhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportet e auditimit 2019 dhe 2023 janë evidentuar mbi 14 shkelje të rënda”, u shpreh ajo në një deklaratë për shtyp.
Vangjeli renditi disa nga shkeljet që sipas saj, janë evidentuar nga ATK.
“Devijime që lidhen me miratimin e koncesioneve, mungesa e argumentimit se pse zgjidhet alternativa PPP përkundrejt prokurimit, gabime në analizë, fakti se sektori publik mbart risqe të konsiderueshme me efekt të drejtpërdrejtë; struktura e financimit paraqitet jo e qëndrueshme; paraqiten gabime në vlerat e pretenduara për tu investuar, apo më klasikja, projekte koncesionare, si rruga Milot –Balldren, që përfshin kryerjen e investimit për rrugë të tipit “A”, ndërkohë që të dhënat mbi qarkullimin e mjeteve dhe standardet e projektimit kërkojnë kryerjen e një investimit në një rrugë të tipit “C2””, deklaroi Vangjeli.
Sipas Vangjelit, vjedhja dhe korrupsioni e ka shtyrë administratën dhe qeverinë të vazhdojnë me një lumë koncesionesh dhe të mos reflektojnë gabime apo shkelje të bëra më pare.
“Përse gjithë këto procedura PPP ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson: projektet e keqhartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit……”, deklaroi Vangjeli.


