Panamaja ka konfirmuar rastin e parë të vdekjes nga koronavirusi i ri, që është rasti i parë në Amerikën Qendrore,(AA).
Ministrja e Shëndetësisë së Panamasë, Rosario Turner, në një konferencë për media të mbajtur në Panama City njoftoi se numri i personave të diagnostifikuar me virusin është rritur në 8.
“Të gjitha panairet, koncertet dhe garat sportive në veri të Panamasë janë ndaluar dhe të gjitha aktivitetet edukative në rajon janë pezulluar deri më 7 prill”, tha Turner.
Në ndërkohë, mediat lokale njoftojnë se Bolivia ka konfirmuar dy rastet e para të koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë së Bolivisë, Anibal Cruz, në një konferencë për media tha se dy gratë, të moshës 60 dhe 64 vjeçare, udhëtuan së fundmi në Itali, duke shtuar se ato janë vendosur në karantinë.
Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si Covid-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që atëherë, virusi është përhapur në 110 vende ndërsa OBSH-ja ka shpallur shpërthimin e urgjencës ndërkombëtare shëndetësore.