Goditje pasurive të krimit, SPAK bllokon 77 mln lekë

Më datë:

 Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuri me vlerë totale 77 milionë lekë, në kuadër të një hetimi për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar sekuestro preventive mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të lidhura me grupin kriminal të Çopjave në Elbasan.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë m² në Sharrë, Tiranë, si dhe 100% të kuotave të një shoqërie tregtare me seli te rruga e Dibrës në Tiranë. Në pronësi të kësaj kompanie janë gjithashtu 25 automjete, konkretisht 24 automjete të markës Volkswagen, si dhe një automjet Toyota.

Hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash

Sekuestrimi i pasurive është kryer në kuadër të procedimit penal që përfshin veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike, pastrimit të produkteve të veprës penale, grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.

SPAK ka zbuluar një organizatë kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare, e cila bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për transportimin e lëndëve narkotike drejt porteve europiane.

Fitimet nga aktiviteti kriminal dyshohet se investoheshin në prona dhe biznese, brenda dhe jashtë vendit tonë.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë. Ato janë bazuar edhe në analizën e komunikimeve të enkriptuara në platformën SkyECC.

Nga hetimet janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Europian, përfshirë Hamburgun dhe Anversën. Gjithashtu, janë dokumentuar rolet e personave të dyshuar dhe lëvizjet e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa sigurimi personal ndaj 16 personave. Hetimi pasuror ka identifikuar pasuri që dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale dhe që janë regjistruar në emër të personave nën hetim dhe familjarëve të tyre.

Duhet theksuar se Franc Çopja ndodhet në burg në Belgjikë për llogari të autoriteteve të huaja. Në këtë shtet ai u ekstradua nga Dubai ndërsa i vëllai i tij, Hajdar Çopja, vijon të ndodhet në Dubai. SPAK i akuzon ata për 4 atentate me 6 viktima dhe trafik ndërkombëtar droge.

Një sërë sekuestrimesh janë kryer edhe më herët, për pasuri në emrin e tyre, mes tyre, një pikë agroturizmi, 1 milion euro cash dhe 10 milion dollarë në kriptovaluta.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

GJKKO: Gjyqi Meta-Kryemadhi mund të vijojë pa avokatë

Gjyqi në ngarkim të ish presidentit Ilir Meta dhe...

Alarm shëndetësor në Francë, zbulohet rasti i parë i virusit Shamonda te njeriu

Autoritetet shëndetësore franceze raportuan të enjten rastin e parë...

Mesazhe kërcënuese ndaj pedagogëve? Policia: Po tentohet përhapja e panikut

Policia e Shtetit ka bërë me dije sot më...

Plani i Rritjes për Shqipërinë, Marta Kos vlerëson përmbushjen e reformave

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka...