Autoritetet shëndetësore franceze raportuan të enjten rastin e parë të virusit Shamonda te njeriu, pasi një pacient humbi jetën në fillim të tetorit
Ministria e Shëndetësisë e Francës tha se autoritetet raportuan një infeksion me virusin Shamonda te një pacient me “mungesë të rëndë imunitare”, i cili po merrte trajtim për një sëmundje të rëndë në Hospices Civils de Lyon në qytetin e tretë më të madh të vendit.
Ata thanë se pacienti ndërroi jetë në fillim të tetorit dhe se hetimet klinike, biologjike dhe epidemiologjike janë duke vazhduar.
“Virusi Shamonda më parë ishte konsideruar si jo i transmetueshëm te njerëzit. Prandaj, infeksioni te ky pacient përbën zbulimin e parë të dokumentuar dhe të raportuar të virusit te një njeri“, tha ministria në një deklaratë.
Ajo tha se nuk janë dokumentuar raste te njeriu më parë, pavarësisht disa dekadave të qarkullimit në Afrikë dhe Azi.
“Prandaj, ky është një rast i jashtëzakonshëm që përfshin një pacient me imunitet të rëndë të kompromentuar“, shtoi deklarata.
Ajo riafirmoi se deri më tani nuk është identifikuar asnjë rrezik shëndetësor për popullatën e përgjithshme.
Ministria tha se virusi u identifikua për herë të parë në Evropë këtë verë, përfshirë Francën, në fermat e bagëtive. Bagëtitë konsiderohen si strehuesit kryesorë midis specieve shtazore që mund të infektohen.
“Në këtë fazë të hetimit, hipoteza është se pacienti është infektuar përmes transmetimit vektorial, nëpërmjet pickimit të një mushkonje Culicoides në Francën lindore, një rajon ku virusi qarkullonte midis kafshëve në pranverë dhe verë të vitit 2026“


