Socialdemokratja Mette Frederiksen ka siguruar një mandat të tretë si kryeministre e Danimarkës, pas arritjes së një marrëveshjeje për formimin e qeverisë, rreth 10 javë pas zgjedhjeve parlamentare.
Frederiksen do të drejtojë një qeveri të re të qendrës së majtë, e përbërë nga katër parti politike.
Mbrëmjen e djeshme, ajo informoi mbretin Frederik X për synimin e saj për të formuar një koalicion mes Partisë Socialdemokrate, Partisë Popullore Socialiste, partisë liberale të djathtë “Venstre” dhe partisë e qendrës “Moderaterne”.
Katër partitë së bashku, kontrollojnë 82 vende në parlamentin danez, më pak se 90 mandatet e nevojshme për një shumicë absolute.
Megjithëse qeveritë e pakicës janë të zakonshme në Danimarkë, një koalicion qeverisës duhet të sigurojë, që të mos përballet me një shumicë kundërshtare në parlament.
Për këtë arsye, qeveria e re do të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera, si Aleanca Kuqe-Gjelbër, e cila zotëron 11 vende.
Ky do të jetë mandati i tretë i Frederiksen në krye të qeverisë, pas fitoreve të saj në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2022.
Më herët, ajo humbi të drejtën për të formuar qeverinë e re, pasi nuk arriti të siguronte një marrëveshje koalicioni pavarësisht javëve të gjata të negociatave.
Më pas, liderit të partisë liberale “Venstre”, Troels Lund Poulsen, iu besua detyra për formimin e qeverisë, por edhe përpjekjet e tij rezultuan të pasuksesshme.
Frederiksen është rikthyer në krye të procesit negociues, prej pak më shumë se një jave.
Një rol kyç në negociatat për qeverinë e re, luajti edhe ish-kryeministri danez dhe ministri aktual i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, së bashku me partinë e tij të qendrës “Moderaterne”.
Rasmussen zhvilloi bisedime me të dy kampet politike dhe ndërpreu negociatat në dy raste gjatë procesit.
Frederiksen pritet të prezantojë sot prioritetet e qeverisë së re gjatë, ndërsa ministrat e rinj do t’i paraqiten zyrtarisht, nesër mbretin Frederik X.


