Shqipëria ka reaguar zyrtarisht pas sulmit me dron të ndërmarrë nga Rusia ndaj qytetit Galați në Rumani, ku u godit një ndërtesë banimi dhe mbetën të plagosur disa civilë, mes tyre edhe një i mitur.
Përmes një deklarate, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse, teksa shprehu solidaritet të plotë me autoritetet dhe popullin rumun.
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, ka reaguar ministri Hoxha.


