Karakaçi: Masa për rritjen e sigurisë në ndërtim dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit

Më datë:

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se qeveria shqiptare po punon për forcimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave të kontrollit për garantimin e cilësisë dhe sigurisë në ndërtim, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Deklarata u bë gjatë interpelancës në Kuvend të kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ngriti shqetësimin për sigurinë në ndërtim pas një zjarri në një kompleks banimi dhe shërbimesh në Tiranë.

Braçe theksoi se ngjarja ka rikthyer në vëmendje cilësinë e materialeve të përdorura, mënyrën e ndërtimit, respektimin e standardeve të mbrojtjes nga zjarri, si dhe funksionimin e kontrollit shtetëror në këtë fushë.

Ai kërkoi gjithashtu sqarime mbi hetimet për shkaqet e përhapjes së shpejtë të zjarrit, zbatimin e kodeve të sigurisë, certifikatat e shfrytëzimit, kontrollet periodike të ndërtesave dhe përgjegjësitë e aktorëve të përfshirë në procesin e ndërtimit.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, ministri Karakaçi u shpreh se çështja e ngritur prek drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ndërtimeve dhe se kuadri ligjor shqiptar parashikon mekanizma të shumtë kontrolli, por ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm.

“Interpelanca e kërkuar nga ana juaj patjetër prek shumë çështje që lidhen me cilësinë e materialeve të ndërtimit, të cilat prekin në vetvete sigurinë dhe vërtetësinë e ndërtimeve. Megjithatë, do të mundohem të jap një përgjigje për sa i përket objektit të interpelancës”, deklaroi ministri.

Karakaçi sqaroi se baza ligjore aktuale përfshin ligjin e vitit 2004 për produktet e ndërtimit, i cili përcakton kriteret që duhet të përmbushin materialet, përfshirë rezistencën mekanike, sigurinë ndaj zjarrit, mbrojtjen e mjedisit dhe eficiencën energjetike.

“Produktet duhet të përmbushin kriteret bazë të tilla si rezistenca mekanike, siguria ndaj zjarrit, higjiena, mbrojtja e mjedisit, siguria në përdorim, izolimi akustik dhe kursimi i energjisë. Ky është kuadri ligjor bazë që referon në Shqipëri, sigurinë e materialeve të ndërtimit. Hedhja në treg e këtyre materialeve lejohet vetëm për ato produkte që janë në përputhje me standardet shqiptare të harmonizuara me ato evropiane, apo pasi të kenë kaluar procedurat e konformitetit. Ligji parashikon që prodhuesi është përgjegjës për deklarimin dhe vërtetimin e konformitetit të produktit, ndërsa mbikëqyrja e tregut kryhet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se ngjarje të tilla tregojnë nevojën për forcim të mëtejshëm të kontrollit dhe për përafrim me standardet europiane, duke bërë të ditur se është hartuar një projektligj i ri për tregtimin e produkteve të ndërtimit.

“Legjislacioni aktual patjetër është i hershëm dhe ka dalë nevoja e tij për përditësim dhe një nga elementet bazë, edhe për përditësim në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka marrë seriozisht këtë angazhim dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse ka hartuar tashmë projektligjin për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin me rregulloren e Bashkimit Evropian të vitit 2024”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se ky projektligj synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, tha ai, parashikon edhe ngritjen e strukturave përgjegjës për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut me qëllim rritjen e sigurisë.

Ministri u ndal gjithashtu te ligji për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim, duke theksuar se ai përcakton qartë përgjegjësitë e projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolaudatorëve në garantimin e cilësisë së ndërtimeve.

“Materialet e importit duhet të shoqërohen me certifikatë cilësie nga laboratorë të akredituar, ndërsa ato të prodhuara në vend certifikohen nga institucione të licencuara”, tha Karakaçi.

Ministri theksoi se qeveria e konsideron prioritet rritjen e sigurisë në ndërtim dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, për të garantuar ndërtime më të sigurta dhe në përputhje me interesin publik.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që zhvillimet teknologjike, rritja e kompleksitetit të ndërtimeve dhe problematikat e evidentuara në praktikë, kanë nxjerrë në pah nevojën e domosdoshme për forcimin e mëtejshëm të legjislacionit, mekanizmave të kontrollit dhe koordinimit institucional. Patjetër që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Qeveria Shqiptare e njeh këtë si prioritet dhe përmes forcimit të kuadrit ligjor, rritjes së mekanizmave të kontrollit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, synimi ynë është që të garantojmë ndërtime cilësore, të sigurta dhe në përputhje me interesin publik”, deklaroi ministri.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Merz mbështet integrimin gradual

Dy javë para samitit të liderëve të shteteve të...

Kos në Malin e Zi, kërkon bashkëpunim për reformat

Në ceremoninë festive të 20 vjetorit të pavarësisë së...

Martohet për herë të katërt vëllai i Princeshës Diana

Vëllai më i vogël i Princeshë Dianës, Charles Spencer,...

Raporti i IBAR kalon fazën teknike, pritet të miratohet nesër nga ambasadorët e BE-së

Më datë 26 maj pritet të mbahet Konferenca e...