Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, 18 maj, pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” lidhur me dosjen “Partizani”.
Në një prononcim për mediat, Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e akuzuar se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë së tij, në formularët e ILDKPI-së, për të kaluar procesin e Vettingut.
“Por sot unë jam këtu për një denoncim tjetër, një denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini, ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon. Ky njeri që kryeson vetingun tani është i padenjë për asnjë funksion përveçse në bankën e akuzës. Ju lutem, më ndiqni pak. Sot do t’u tregoj për vilën ku banon Altin Troplini, të cilën në qoftë se ju bëni një kontroll të intervistave të tij, ai thotë se në atë vilë unë banoj me qira. Dhe se me dokumente shtetërore kanë deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Troplinit me Ariklën, zonjën e tij aktuale bashkëshorte në mënyrë që askush të mos mund të lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Pra, Altini është bërë dhëndër aty në atë familje pasi kishte përfunduar vila.
Dhe po të thoshte ndonjëri nga ju që vila u ndërtua me paratë e Altinit, do të thoshin se ky është një mashtrim pasi Altini është bërë dhëndër pas përfundimit të vilës. Kur u bë vetingu i Altin Troplinit, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale 1516 numër 432 datë 15.06.2019. Prindërit e gruas së tij deklarojnë se paratë për ndërtimin e vilës i kanë marrë nga misionari Graham Bel përgjatë viteve 1999-2003. E kuptoni ju, bamirësi i madh, si puna e Rrapush Xhaferrit? Pra, i kanë marrë gjatë këtyre viteve afro 45 mijë paund. Se si misionari i jepte 45 mijë paund një familje, kjo është…”, tha Berisha.
Kreu i opozitës thotë se deklarata noteriale e prindërve të bashkëshortes së Dumanit, thekson se ky i fundit nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie. Pasi është martuar në vitin 2003.
E sipas Dumanit, shtëpia që ka shërbyer fillimisht si kishë, ka filluar të banohet që prej vitit 2000.
Por çfarë thonë dokumentet e shtetit, të kadastrës, të lagjes, të legalizimit? Sipas Berishës, në dokumente tregohet se kjo vilë nuk ekzistonte dhe ka qenë ende arë asokohe.
“Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004, toka ishte arë.”, shton ai.
Për këtë arsye, sipas Berishës, duke qenë se dokumentet e nxirrnin blof, deklarata noteriale e prindërve të gruas së prokurorit “është hequr nga dosja e vetingut”.
Sipas tij, kjo tregon se si është bërë vetingu dhe se si ky proces është mbajtur peng.
I pyetur nga gazetarët se si ai i gjen këto informacione, Berisha shprehet: “E vërteta është magneti im, e vërteta vjen tek unë, unë shkoj tek e vërteta!”
Berisha vijon me akuzat duke bërë krahasimin e Dumanit, me një tjetër magjistrate të larguar nga sistemi i drejtësisë sepse kishte blerë një garazh, që kishte rezultuar ndërtim pa leje.
“Ja ku e keni zyrën e regjistrimit të pasurive nëse doni, 307 metër katrorë tokë arë. Ky mashtrues ka kryesuar këtë institucion. Këtu keni dokumentet e legalizimit. Këtu keni hartën e 307 metrave tokë. Këtu keni legalizimin në vitin 2006.
Mos harroni se Besa Nikhasani është nxjerrë nga sistemi i drejtësisë, një zonjë, sepse ajo vetë apo vjehrri i saj, kishte blerë një garazh të ndërtuar pa leje. Kurse kreu i SKAP-it, delinkuenti Dumani, legalizon vilën e ndërtuar pa leje trekatëshe pas 15 vitesh për t’u marrë peng nga Edi Rama dhe nuk pëson asgjë. Ajo largohet nga prokuroria, një vajzë shumë e mirë, një grua shumë e mirë, për një problem që kishte ndërtuar vjehrri i saj një garazh dhe e kishte legalizuar. Po kjo nuk mund të ndodhte me njerëzit e ligjit. Po Dumani nuk është i ligjit, është i Maliqit, i mafies. Ja pra çfarë ngrihet mbi mashtrimin, mbi larjen e parave, mbi krimin.”, tha Berisha më tej.
Sipas tij, ky është një “skandal i paparë ndonjëherë”.
Më pas ai bën thirrje për largimin e Dumanit, nga detyra e tij aktuale si prokuror i SPAK-ut: “Mos harroni se ky njeri, në zbatim të urdhrave, ndërmori atakun më të lartë të pluralizmit në Shqipëri, ky njeri prishi hetimine inceneratorit, duke shpallur arrestin e Arben Ahmetajt. Ky njeri është vetë delikuent, një mashtrues. Dhe e paraqit vilën të ndërtuar para fejesës së tij. Ndaj t’i kërkojmë largimin e tij të menjëhershëm ngta detyra. Ndaj ky njeri mbron Irenën me 5 mbiemra. Se është vetë një delikuent, një mashtrues, se është vetë një pare-larës!“
Duke vazhduar akuzat ndaj Dumanit, Berisha e akuzon atë për: “Larjen e parave në vilën e tij, shkeljen e ligjeve të ndërtimeve pa leje dhe legalizimin në vitin 2026, tërheqjen si mafie në deklaratën e dosjes së Vettingut, sepse është shkatërrimtare deklarata. Thuhet se është banuar në vitin 2000, ndërkohë altini ka deklaruar se përdorej si foltore, ndërkohë që ajo nuk ekzistonte”.
“E keni vlerësuar publikisht si kreu i task-forcës më i suksesshmi…”, iu drejtua Berishës një prej gazetarëve të pranishëm, pasi lideri demokrat numëroi një më një gjithë këto akuza. Por ai u përgjigj: “Unë po flas me dokumente, fjalët i merr era. Unë po flas me dokumente!”
Në fund të prononcimit të tij për mediat, Berisha paralajmëroi se ditët e para të qershorit do të jetë edhe protesta e radhës, që sipas tij do të jetë “kryengritja më e fuqishme që ka njohur Shqipëria”.


