Në Gjimnazin “Aleksandër Moisiu”, panairi tradicional i nxënësve u kthye në një festë të kulturës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ku përveç traditës shqiptare, spikati solidariteti i nxënësve austriakë dhe një gjest simbolik që emocionoi të pranishmit. Një atmosferë festive, plot ngjyra, traditë dhe emocione ka përfshirë gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, ku panairi i përvitshëm i nxënësve këtë herë erdhi më ndryshe se kurrë më parë. Ambientet e shkollës u shndërruan në një hapësirë të vërtetë etnografike. Në çdo kënd, nxënësit kishin sjellë punën e tyre: gatime tradicionale, produkte të zonës, punime artizanale, vizatime e skulptura, duke i dhënë jetës shkollore një dimension kulturor dhe identitar.
Por kjo festë nuk ishte vetëm shqiptare. Përkrah nxënësve kavajas, këtë herë ishin edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Austria, të cilët prej muajsh kishin punuar për një projekt të përbashkët – një projekt që sot u materializua në mënyrën më domethënëse. Ata sollën me vete mbi 200 pajisje kompjuterike, të mbledhura, restauruara dhe përgatitura nga vetë nxënësit, si një dhuratë për shkollën shqiptare. Ky akt nuk ishte thjesht një ndihmë materiale, por një shembull i pastër solidariteti dhe bashkëpunimi mes të rinjve, përtej kufijve.
Një detaj që i dha edhe më shumë peshë këtij projekti ishte mënyra se si këto pajisje mbërritën në Kavajë. Transporti u realizua nga zjarrfikës vullnetarë austriakë, të cilët përshkuan një rrugë të gjatë prej rreth 24 orësh, duke mbuluar vetë të gjitha shpenzimet. Një sakrificë e rrallë, e bërë jo si detyrim, por si akt vullneti dhe përkushtimi. Ky gjest u vlerësua si një shembull i jashtëzakonshëm humanizmi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të arsimit dhe përfaqësues të Ambasadës së Austrisë në Tiranë, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj nisme. Drejtori i Zyrës Arsimore, Enver Biturku, u ndal tek vlera e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si një model që duhet të vijojë.
“Ky nuk është thjesht një projekt teknik, por një model bashkëpunimi që lidh dy vende përmes arsimit dhe vlerave të përbashkëta.” Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e nxënësve dhe mësuesve austriakë, të cilët përgatitën dhe transportuan pajisjet me përkushtim të veçantë. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, u shpreh se kjo shkollë vazhdon të ruajë identitetin dhe traditën e saj ndër vite.
“Kavaja është qytet mikpritës dhe ky bashkëpunim është dëshmi e vlerave që ne përçojmë dhe ruajmë.” Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e bashkisë për arsimin dhe për projekte që sjellin zhvillim për të rinjtë. Përfaqësuesit e shkollës austriake nënvizuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si një përvojë të vlefshme për nxënësit e të dy vendeve. “Ky projekt krijoi lidhje të forta mes nxënësve dhe tregoi se bashkëpunimi nuk njeh kufij.” Ata theksuan se nxënësit austriakë kanë punuar për më shumë se një vit në përgatitjen e pajisjeve, duke krijuar jo vetëm një projekt teknik, por edhe një urë miqësie.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Ambasadës së Austrisë në Tiranë, konsullja Eva Miqli, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimeve ndërkulturore dhe arsimore. “Kavaja është qytet i mikpritjes dhe ky bashkëpunim e dëshmon më së miri këtë.” Por momenti që mbeti më i veçanti i kësaj dite ishte një gjest i thjeshtë, por plot kuptim. Mes stendave të panairit, kryetari i bashkisë ndaloi pranë nxënësve dhe bleu simbolikisht një qofte të përgatitur prej tyre, duke rikthyer një traditë të vjetër të qytetit.
Një veprim i vogël në dukje, por që krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke afruar edhe më shumë nxënësit me institucionet dhe duke e kthyer këtë ditë në një kujtim të veçantë për të gjithë të pranishmit. Ky aktivitet tregoi qartë se kur bashkohen tradita, arsimi dhe solidariteti, lindin iniciativa që lënë gjurmë – jo vetëm në shkollë, por në të gjithë komunitetin.
Një projekt bashkëpunimi mes nxënësve austriakë dhe shqiptarë është përmbyllur me sukses pas më shumë se një viti pune. 28 nxënës, të fokusuar në fushën e mediave dhe teknologjisë së informacionit, kontribuan në mbledhjen, riparimin dhe rindërtimin e kompjuterëve, të cilët më pas u dërguan në Shqipëri. Gjatë projektit, nxënësit bashkëpunuan përmes rrjeteve sociale dhe videokonferencave, duke krijuar lidhje miqësore dhe shkëmbime të vlefshme përvojash.
Transporti i pajisjeve u realizua me mbështetjen e institucioneve lokale, ndërsa mësuesit dhe organizatorët luajtën një rol kyç në realizimin e tij. Ky projekt konsiderohet një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dhe në përgatitjen e të rinjve për të ardhmen.


