Netanyahu ndërpret vizitën në Greqi pas vrasjes së Soleimanit

Më datë:

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndërprerë qëndrimin e tij zyrtar në Greqi dhe po kthehet në Izrael si pasojë e vrasjes së Qasem Soleimanit, komandantit të Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, në një sulm të SHBA-së në Bagdad.

Zyra e Kryeministrit të Izraelit njoftoi në një deklaratë me shkrim se Netanyahu brenda disa orëve do të kthehet në vendin e tij.

Pas vrasjes së Soleimanit, ushtria izraelite sot mori vendim ta mbajë të mbyllur Qendrën e Skijimit Hermon në Lartësirat e pushtuara të Golanit në Siri si masë preventive kundër sulmeve të mundshme.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Naftali Bennett njoftoi se sot në Tel Aviv do të mblidhen zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë edhe kreun e ushtrisë Aviv Kohav, për të diskutuar situatën e fundit.

Po ashtu, Izraeli ka rritur në nivel të lartë masat e sigurisë edhe në përfaqësitë e jashtme nga shkaku i shqetësimeve për kundërpërgjigje nga Irani pas vrasjes së Soleimanit.

Ndryshe, Pentagoni sot njoftoi se në një sulm me dron pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të lidhur me Iranin.

Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë në reagimet e tyre pas sulmit janë shprehur se do të hakmerren për vrasjen e gjeneralit iranian.

Sulmi erdhi në vazhdën e tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dielës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të ciliat u vranë të paktën 25 luftëtarë.

Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten e kaluar në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Policia gati për protestën e opozitës, Hita: Do reagojmë sipas procedurave në rast shkeljesh

Kryepolici Skënder Hita në një konferencë për mediat u...

Berisha: “Mazhoranca nën diktatin e Ballukut, Rama mungon nga frika”

Po diskutohet në Kuvend projektligji për akcizën dhe taksat...

Trump: Konflikti me Iranin do të përfundojë shpejt

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu besimin në një mesazh...

A ka lidhje “Haga” me zgjedhjet? Kryeministri Kurti: Nuk shoh lidhje me vendimin për Thaçin

Albin Kurti e distancoi krejtësisht veten dhe qeverinë e...