Katër persona janë arrestuar dhe tetë persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në lidhje me incidentet e ndodhura dje në protestën e opozitës para Kryeministrisë.
Mes të hetuarve në gjendje të lirë është edhe sekretari për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në Partinë Demokratike, Ervin Minarolli.
Në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
Policia njoftoi se si pasojë e incidenteve kanë mbetur të dëmtuar edhe tre efektivë, por të cilët morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
“Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje”, njoftoi policia.
Kujtojmë se pas fjalimit të Berishës, protestuesit i vunë flakën pjesës së përparme të godinës së Këshillit të Ministrave duke hedhur shishe molotovi.
Më pas disa prej tubuesve hoqën një gardh metalik, ndërsa efektivët e policisë nuk lejuan qytetarët që të hyjnë në oborrin e kryeministrisë.
Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një nga protestuesit u përfshi nga flakët si pasojë e hedhjes së molotovit dhe lëndëve piroteknike.
Deri më tani nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Partia Demokratike zhvilloi dje, më 22 dhjetor, protestën kombëtare përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.


