Aktori i njohur i Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Viktor Zhusti feston sot 83-vjetorin e lindjes.
Ai ka lindur në Athinë më 8 dhjetor 1942 dhe për shkak të luftës, familja e tij u nda duke u kthyer së bashku me babin e tij në Shqipëri në vitin 1943. Zhusti jetoi në Gjirokastër dhe në vitin 1963 mbaroi studimet si aktor në Lice e më pas në Akademinë e Arteve.
Pas diplomimit, Viktor Zhusti u emërua drejtor i qendrës kulturore në Gjirokastër, ku qëndroi deri në vitin 1971. Pas këtij viti u emërua pedagog i lëndës “Fjala Artistike” në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku punoi deri në vitin 1997, vit që daton nga largimi i tij për në Greqi.
Të larmishme janë rolet e tij në film dhe teatër, që nga partizani i ashpër, por edhe babai i dhembshur. Në vitin 1981, në skenën e “Teatri Popullor” i dha jetë Besimit, roli në dramën “Komunistët” nga Ruzhdi Pulaha ku ai mishëron me tone heroike dhe elegjiake figurën e Qemal Stafës, “Hero i Popullit Shqiptar”.
Në komedinë e mirënjohur “Shi në plazh”, Zhusti vlerësohet për rolin e Alberit, sikurse edhe në rolin e Samiut në “Mësuesi i Letërsisë” (1982) nga Ruzhdi Pulaha.
Ndërsa në film, Viktor Zhursti ka luajtur rreth 10 role kryesore duke nisur që nga viti 1966 në “Komisari i Dritës” në rolin e Mark Dedinës, duke vazhduar me “Malet e veshura me të gjelbra” atë të partizanit Jaho. Më pas, ai ka luajtur edhe në filma si “Nëntori i Dytë”, “Taulanti kërkon një motër” (në rolin e babait, Pirros), “Kur xhirohej filmi” si dhe “Dhe vjen një ditë”.
Viktor Zhusti u rikthye pas gati 20 vitesh në skenën e “Teatrit Kombëtar” me rolin e një pacienti “të sëmurë” në komedinë “Të gjithë me zakone” (2009).
I vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, Viktos Zhusti vijon të interpretojë në skenën e Teatrit shqiptar me po të njëjtin emocion dhe pasion, ritëm të lartë dhe temperament.


