Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, projektbuxhetin për vitin 2026 për KLGJ-në.
Gjatë fjalës së tij, Rusi tha se buxheti i parashikuar për KLGJ-në është rreth 6,8 miliardë lekë, 26% më i ulët se ajo që ka kërkuar KLGJ.
“Kërkesat buxhetore për Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë qenë për një buxhetim prej 9 miliardë lekësh, ndërkohë që buxheti i planifikuar për vitin 2026 është në vlerën 6 miliardë e 800 milionë lekë me një diferencë prej 2 miliardë e 500 milionë që përbën një miratim të tanishëm sipas projektbuxhetit në vlerën e 26% më pak se buxheti i kërkuar nga KLGJ”, tha Rusi.
Megjithatë, shtoi Rusi, krahasuar me vitin 2025, buxheti i projektuar për 2026-ën paraqet një rritje prej 20%.
“Nëse i referohemi buxhetit të 2025, buxhetimi i projektuar është një vlerën 20% më tepër. Prej 2021 e deri më sot, është dyfishuar buxhetimi për KLGJ-në. Buxhetimi shoqërohet paralelisht me rritjen e burimeve njerëzore. Në 2021 kishte 1400 të punësuar të cilët ishin magjistratë gjyqtarë, e punonjës të tjerë administrativë, sot kemi 1892 pozicione pune në KLGJ. Një shtesë prej rreth 500 pozicione pune rreth 35% është rritur edhe numri i burimeve njerëzore”, tha Rusi.
Sipas ndarjes buxhetore, Rusi theksoi se për vetë Këshillin e Lartë Gjyqësor janë planifikuar 490 milionë lekë, ose rreth 7% e totalit, ndërsa Qendra e Teknologjisë së Informacionit në sistemin gjyqësor do të ketë në dispozicion 20 milionë lekë.
Rusi theksoi se pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 6 miliardë e 300 milionë lekë, do të shkojë për gjykatat.
“Është më pak se i kërkuari. Në këtë 5 miliardë e 400 milionë janë shpenzime korente, e cila përbën gati 85% të buxhetimit. Duken vlera të mëdha, po realisht buxheti më i madh shkon për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative mallra e shërbime, që janë të domosdoshme për të ushtruar detyrën”, tha Rusi.
Rusi shtoi se 900 milionë lekë janë për investime në gjykata.
“Kjo është destinuar për rikonstruksione të plota dhe të pjesshme për gjykatat, gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Apelit Administrativ, Gjykatën e Shkallës së Parë të Posaçme, Gjykatën e Kukësit, Gjykatën e Fierit dhe për Gjykatë e Gjirokastrës”, tha ai.
Kreu i KLGJ-së bëri të ditur se është kërkuar gjetja e një trualli për të ndërtuar në një godinë të përbashkët dy gjykata, së bashku me prokuroritë, Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshme Tiranë dhe Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, shtoi ai, “kemi nevojë për mjedise për infrastrukturë”.
“Thirrja është: ju lutem na ndihmoni për infrastrukturën për godinat! Të gjithë duhet të përpiqemi të gjejmë hapësira me qëllim që të destinojmë troje apo godina për gjykata”, tha Rusi.


